Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohen sot, me përfaqësuesin special të të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
“Në orën 14:10, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Për takimin Kurti – Lajçak ka njoftuar, përmes një deklarate për media edhe zyra për informim e Kryeministrit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thuhet në këtë njoftim.
Tema kyçe e bisedimeve me palë të ndryshme do jetë aneks-plani i zbatimit të pikave të propozimit evropian për ujdi që u pajtua si dokument i pandryshuar.
Takimi në Bruksel
Në dialogun Kosovë-Serbi së fundmi ka pasur disa zhvillime. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në një takim të mbajtur më 27 shkurt kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian në Bruksel, të titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi”. Marrëveshja, për të cilën janë bërë përgatitje prej vjeshtës së vitit 2022, dhe mbulon shumë aspekte në marrëdhëniet mes dy vendeve nuk është nënshkruar ende, mirëpo është publikuar zyrtarisht nga BE-ja. Marrëveshja në thelb është një shtesë e marrëveshjes së arritur më 2013 në Bruksel, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila ka paraparë normalizimin e marrëdhënieve, pasi Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008 veprim që Serbia nuk e ka pranuar kurrë.