Tashmë gjithçka është gati, Kampionati Botëror i të Rinjve (U-17) i peshëngritjes është hapur dje zyrtarisht me ceremoninë e mbajtur në sallën “Feti Borova” në kryeqytet, ne kuadër të vitit 2023 “Tirana Qyteti Europian i Sportit”.
Ceremonia u nderua me fjalimet e rastit nga personalitetet e sportit shqiptar dhe botëror. Një aktivitet madhor i shtangës, që për herë të parë mbahet në Shqipëri, me garat që do të zhvillohen nga dita e sotme e deri më datë 1 prill në Durrës, në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. 268 peshëngritës (133 vajza dhe 135 djem) nga 57 vende të ndryshme të botës do t’i japin jetë për një javë garave në qytetin bregdetar.
Shqipëria do të përfaqësohet në këtë aktivitet me pesë sportistë, një vajzë dhe katër djem. Kështu Enkileda Carja do të konkurrojë më 28 mars në Baterinë B të peshave 59 kg. Ndërsa te djemtë, Flavio Alliaj dhe Antonino Mullisi do të ngjiten në pedanë të dielën për të matur forcat në Baterinë B në kategorinë e peshave 61 kg. Më 27 mars do të jetë radha për Samoel Rrasën në Baterinë A për peshat 67 kg. Në të njëjtën kategori peshash, por në Baterinë B, do të konkurrojë edhe Mariglen Kofsha.
Botërori i të rinjve në peshëngritje është aktiviteti ndërkombëtar i radhës që vjen në vendin tonë, pasi siç dihet viti i kaluar ka sjellë në Shqipëri disa evente madhore të peshëngritjes, duke nisur nga Kongresi Zgjedhor i Federatës Botërore dhe Kampionati Europian për të rritur, evente të mbajtura në Tiranë apo Europiani i të rinjve i zhvilluar në Durrës.