MENU
klinika

Ja kush u penalizua!

Për Poloninë “u dogjën” 20 futbollistë

18.03.2023 - 19:59

Lista e trajnerit Silvinjo patjetër që do të kishte edhe mungesa në emra për shkak të zgjedhjeve teknike të vetë brazilianit. Në total rreth 20 lojtarë nuk kanë qenë në preferencën e 48- vjeçarit të stolit, i cili për këtë grumbullim ka lënë jashtë edhe emra të njohur futbollistësh, që deri diku ishin edhe të papritura. Odise Roshi dhe Endri Çekiçi nuk janë thirrur për ndeshjen kundër Polonisë. Të dy mesfushorët po luajnë rregullisht në Turqi, me Sakarjasporin e Koniasporin dhe kanë qenë gjithmonë në preferencat e Edi Rejës, përveç rasteve kur vuanin nga një dëmtim.

Në të penalizuarit nga zgjedhjet e Silvinjos merr pjesë edhe dyshja e mbrojtjes, Enea Mihaj dhe Arlind Ajeti, ky i fundit ka shfaqur edhe një formë të mirë në Serinë C, duke qenë titullar i padiskutueshëm, por gjithashtu ka shënuar edhe pesë gola dhe shtojmë edhe faktin se eksperienca e tij është e madhe. Duke mbetur në prapavijë, vihet re se mungojnë edhe dy lojtarët shqiptarë të Honvedit në Hungari, Albi Doka dhe Herdi Prenga, ndërkohë nga kampionati rumun, Erion Hoxhallari nuk ka marrë një ftesë. Arbnor Muçolli, i cili ka qenë edhe në miqësoret e fundit, nuk është përfshirë në listën e trajneri të ri dhe të njëjtin fat ka pasur edhe Enis Çokaj që po merr pak minuta te grekët e Panathinaikosit. Sa i përket sulmuesve, Silvinjo ka thirru vetëm tre dhe jashtë kanë mbetur Ernest Muçi, Xhuljano Skuka dhe Xhakomo Vrioni.

Ndërkohë, teksa flitej për një rikthim të bujshëm të Armando Sadikut, i cili i shprehu publikisht edhe polemikat që kishte me Edi Rejën, as këtë herë sulmuesi nuk është pjesë e Kombëtares, edhe pse në Kategorinë e Dytë spanjolle ai është autor i tetë golave. Edhe emri i Rei Manajt ishte i pritshëm që nuk do të ishte, sepse sulmuesi është pa ekip, pas largimit nga Uotfordi dhe në një moment jo të mirë në karrierën e tij.

SUPERIORJA- Përveç Andi Hadrojt, i cili ia doli që për një vazhdimësi në Kombëtare pas ndeshjeve në muajin nëntor, asnjë lojtar tjetër nuk ia ka mbushur mendjen Silvinjos. Në grumbullimin e parë ku u krenuam me disa emra nga kampionati vendës, momentalisht flamurin e Superiores lart do ta mbajë vetëm mbrojtësi i Partizanit. Në ndeshjet e fundit, të thirrur me kuqezinjtë ishin: Tedi Cara, Erdenis Gurishta, Eneo Bitri dhe Xhuljano Skuka, me dy të fundit që u transferuan jashtë.