MENU
klinika

Fshati i rrallë me 15 kisha

Perlat kulturore të Libofshës

20.03.2023 - 14:24

Fshati Libofshë i Fierit është një fshat i rrallë me perla të rralla kulturore. Në këtë fshat të rrallë në të gjithë vendin ndodhen 15 kisha që ndër shekuj kanë ruajtur origjinalitetin e tyre. Ndërsa për vendasit ato janë gjithçka, për vizitoret ky vend mbetet i panjohur.

At Rafael Rredhi tregon se kanë qenë banorët e zonës që edhe gjatë regjimit komunist, kur në të gjithë vendin kishat dhe xhamitë u shemben, ata nuk lejuan që kishat në fshatin e tyre të prishen por i ruajtën me fanatizëm dhe në fshehtësi u kujdesën për ikonat, afresket dhe të gjitha objektet brenda kishave.

Ndoshta kjo ishte edhe një nga arsyet se pse shumë regjisorë të ish Kinostudios kanë zgjedhur këto kisha për të xhiruar shumë pjesë në filmat e tyre. Tefta Deda e bija e kujdestarit të kishave tregon se babai i vendoste çelësat në vend të sigurt dhe asnjë nga fëmijët nuk i dinim se ku ishin.

Shën Gjergji, monument kulture, është kisha ikonë e Libofshěs, e ndërtuar në vitin 1776, plot 247 vjeçare. Bukuria, arkitektura, afresket mahnitëse të artistëve korçarë të shekullit të 18-të, Kostandin dhe Terpo Zografi e kanë bërë atë kishën më të lakmueshme për historianët, studiuesit e kulteve fetare.

Ardenica, e njohur ndryshe si monarku shpirtëror i Myzeqesë, shumë pranë Libofshës dhe poshtë tij vijnë kishat e Shën Kollit, Shën Gjergjit, Shën Kozmai, Shën Maria, dhe gjithë kishat e tjera.

Këto janë perla të rralla kulturore që kanë ruajtur origjinalitetin në shekuj.

Një meritë ka dhe komuniteti i Libofshës që i ka ruajtur dhe i admiron këto vlera dhe kjo nuk është rastësi, por i ka rrënjët te dashuria për kulturën dhe dijen që kulmon me hapjen e shkollës së parë shqipe në Myzeqe më 25 gusht 1908 pikërisht në Libofshë nga patriotë të zonës.