MENU
klinika

"Cënon integrimin në BE"

Presidenti austriak krah Begajt: Hiqni dorë nga pasaportat e arta

27.03.2023 - 13:05

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të heqë dorë nga pasaportat e arta dhe të fokusohet në zbatimin e reformave për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, Van der Bellen tha se procesi i nisur nga qeveria për pasaportat, cënon procesin e reformave të ndërmarra dhe besueshmërinë tek ndërkombëtarët. Ai foli edhe për forumin ekonomik dhe tha se 50 biznese austriake operojnë aktualisht në Shqipëri, por që nga sot, do të bashkohen edhe 20 biznese të tjera.

Pjesë nga fjala e presidentit austriak:

Dua të them se kemi pasur ecuri shumë të mira, kemi parë ecuri për procesin screeening me Bashkimin Evropian dhe shpresoj të hidhen hapa të mëtejshëm. Uroj të ecim sa më shpejt. Sipas metodologjisë së re, fokusi është tek çështjet esenciale si shteti i së drejtës, të drejtat themelore dhe drejtësia e pavarur dhe në këtë kuadër inkurajojmë Shqipërinë për të zhvilluar reformat në këta sektorë. Kjo do të thotë të hiqet dorë nga një ide që është në diskutim. Kjo pasi ideja në fjalë do të cenonte besueshmërinë e procesit të reformave. E kemi fjalën për nismën e deklaruar nga qeveria shqiptare, për pasaportat e arta. Austria do të jetë gjithmonë mbështetëse e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.  Mbi 50 biznese austriake operojnë në Shqipëri dhe jam i nderuar që sot pasdite do të hapim forumin ekonomik, ku pika kryesore është zhvillimi i bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme dhe infrastruktura miqësore ndaj mjedisit. Ftesës sime i janë bashkuar 20 biznese nga Austria dhe jemi këtu për të dhënë ekspertizën tonë në interes të përbashkët. Sot, dy ministrat e Drejtësisë po nënshkruajnë një deklaratë bashkëpunimi, bashkëpunimin në arsim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN