MENU
klinika

Bankat kërkojnë lehtësim

Primi i sigurimit të depozitave

04.03.2023 - 09:27

Në periudhën e paskrizës financiare, sektori bankar në Shqipëri është përballur me rritje të vazhdueshme të kostove rregullatore. Në vitin 2018, u miratua ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”, që parashikon ngritjen e mekanizimit dhe fondit të shpëtimit të bankave, që duhet të ngrihet me kontributin e vetë bankave.

Në vitin 2019, u miratua rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit, që kërkon rritje graduale të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, megjithëse niveli bazë prej 12% është 50% më i lartë se ai që aplikohet nga autoriteti rregullator i Bashkimit Europian.

Vitin e kaluar hyri në fuqi edhe rregullorja “Për kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara”, edhe kjo në funksion të mekanizmit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka.

Këto masa kanë qëllim ta bëjnë sektorin më të sigurt dhe të ulin gjasat e falimentimit të bankave, por kanë sjellë rritje të konsiderueshme të kostove të aktivitetit bankar. Ndërkohë, prej më shumë se 20 vjetësh, Shqipëria ka një skemë aktive të sigurimit të depozitave, ku bankat duhet të kontribuojnë në mënyrë të detyrueshme për të siguruar depozitat e publikut, në rast të falimentimit të bankës.

Kjo skemë tashmë është e konsoliduar dhe prej vitesh janë përmbushur parametrat e parashikuar që ASD të ulë primin e sigurimit që bankat duhet të paguajnë. Megjithëse ligji e lejon një gjë të tillë prej të paktën gjashtë vitesh, ASD heziton ta ndërmarrë një veprim të tillë.

Sipas ligjit “Për sigurimin e depozitave”, për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.

Megjithatë, ligji “Për sigurimin e depozitave”, në nenin 35, pika 11, përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”.

Në fakt, fondi i ASD-së për sigurimin e depozitave bankare e ka arritur këtë nivel që prej vitit 2016, ndërsa ka vijuar të rritet edhe gjatë viteve në vijim. Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara. Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi përkatës që administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave u rrit më tej në vitin 2021.

Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2021, raporti arriti në 6.66%, nga 6.46% që pati qenë një vit më parë. Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD-së është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara.

Prej vitit 2014, ASD ka përdorur edhe linja krediti gatishmërie nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Marrëveshja u rinovua në fillim të vitit 2021 dhe ka si qëllim të pasurit e një fondi të disponueshëm, në rast se paraqitet nevoja për të kompensuar depozituesit e siguruar.

Ndërkohë, nëse marrim në konsideratë dhe linjën e kredisë 100 milionë euro që Agjencia ka përfituar nga BERZH, ky raport arrin në pothuajse 8.2%.

Në fund të vitit 2021, vlera e depozitave të sigurueshme bankare që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti në 1.36 trilionë lekë, ndërsa detyrimi maksimal për kompensim i ASD-së arriti në 792 miliardë lekë. Ligji parashikon sigurimin e detyrueshëm të depozitave të individëve dhe shoqërive tregtare në banka deri në vlerën e 2.5 milionë lekëve.

Bankat shpenzuan 31 milionë euro për sigurimin e depozitave në 2021

Vlera kontabël e fondit të sigurimit të depozitave në banka, në fund të vitit 2021, arriti në rreth 52.8 miliardë lekë, me rrije prej 10.2% krahasuar me një vit më parë. Ai ka dy burime kryesore financimi: primet që paguhen nga bankat dhe të ardhurat nga investimi i fondit.

Të ardhurat nga primet e sigurimit, që konsistojnë në kontributet e paguara nga bankat, vitin e kaluar ishin 3.76 miliardë lekë, ose rreth 31 milionë euro. Kjo shumë përbënte afërsisht 10% të shpenzimeve jo të interesit të bankave për vitin në fjalë.

Këtyre iu shtohen edhe 664 milionë lekë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që e çojnë shpenzimin vjetor për të dy fondet në 4.4 miliardë lekë, ose gati 37 milionë euro.

Duke pasur parasysh hapësirat që krijon ligji, bankat tregtare në vitet e fundit po kërkojnë nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave. Ato argumentojnë se në vitet e fundit po përballen me rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore.

Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe po detyrohen të rrisin gradualisht edhe raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.

Në tërësinë e tyre, këto masa i bëjnë bankat më të sigurta përballë rrezikut të falimentimit dhe, rrjedhimisht, ulin edhe gjasat që publiku të pësojë humbje nga një ngjarje e tillë e mundshme. Edhe për këtë arsye, bankat kërkojnë që rritja e kërkesave për kapital të shoqërohet, së paku, me uljen e primit të sigurimit të depozitave, në përputhje me hapësirat që vetë ligji ekzistues i parashikon.

Sipas Shoqatës së Bankave, institucionet duhet të marrin në konsideratë uljen e primit, duke pasur parasysh se kushtet ligjore për ta bërë diçka të tillë tashmë janë përmbushur.

Shoqata është në pritje që ASD dhe institucionet e tjera të dalin në konkluzionet përkatëse dhe të shprehen rreth ndryshimeve që mund të bëhen në skemë.

ASD: Po studiojmë, por nuk e vendosim vetëm ne

Lidhur me këtë çështje, Agjencia e Sigurimit të Depozitave shprehet se në vitet e fundit ka nisur një proces të analizave dhe studimeve për ndryshime të mundshme që mund të kryhen në skemën e sigurimit të depozitave.

ASD shprehet se, vitet e fundit, në bashkëpunim me Korporatën e Vullnetarëve të Shërbimeve Financiare financuar nga USAID dhe zyrën FINSAC të Bankës Botërore, ka hartuar disa projekte, me qëllim vlerësimin e përshtatshmërisë të treguesve të skemës së sigurimit të depozitave dhe përputhshmërinë e tyre me standardet ndërkombëtare.

Sipas saj, vlen të theksohet se të gjitha parametrat e skemës së sigurimit të depozitave siç janë, niveli maksimal i mbulimit, primi i sigurimit të depozitave dhe niveli i synuar i fondit të sigurimit të depozitave, etj., janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin, duke garantuar, në këtë mënyrë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e skemës së sigurimit të depozitave.

Megjithatë, ky institucion thekson se çdo vendim për të ndryshuar parametra të skemës duhet të merret në dakordësi dhe koordinim me institucionet e tjera të përfshira, duke filluar nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.

ASD lë të kuptohet se nuk mund ta marrë e vetme përgjegjësin e uljes së primit të sigurimit të depozitave, me argumentin se sigurimi i depozitave është një çështje shumë e rëndësishme për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Burime nga sektori financiar bëjnë të ditur se dy janë alternativat kryesore që po merren në konsideratë në analizat e ASD-së: njëra është ulja e primit të depozitave për bankat, ndërsa tjetra, rritja e vlerës maksimale ligjore të sigurimit të depozitave bankare, vlerë që aktualisht është 2.5 milionë lekë.

Sipas ligjit, depozituesi në çdo bankë apo në çdo degë të bankës së huaj sigurohet në masën 100%, por në çdo rast, jo më shumë se dy milionë e pesëqind mijë lekë, ndërsa depozituesi në shoqëritë e kursim-kreditit sigurohet në masën 100%, por në çdo rast, jo më shumë se dy milionë lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës të tyre.

Depozitat e sigurueshme përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, sipas të dhënave për fundvitin 2021, kishte detyrimin për kompensimin e 792.2 miliardë lekëve depozita në banka, si dhe detyrimin për kompensimin e 6.9 miliardë lekëve depozita në shoqëritë e kursim-kreditit.

Në fund të vitit 2021, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave, arriti 1,36 trilionë lekë dhe përfaqësonin 94.7% të totalit të depozitave. Ndërkohë, vlera e siguruar e këtyre depozitave, ose detyrimi për kompensim i ASD-së (prej 792.2 miliardë lekësh) përbënte afërsisht 58% të vlerës së depozitave të sigurueshme.

Në fund të dhjetorit 2021, depozitat e sigurueshme më të vogla, ose të barabarta me nivelin maksimal të mbulimit, ishin 489.5 miliardë lekë (ose 36% të totalit të shumës së depozitave të sigurueshme), kurse depozitat mbi nivelin maksimal të mbulimit arritën 867.8 miliardë lekë (ose 64% të totalit të shumës së depozitave të sigurueshme).

Depozitat e sigurueshme të individëve në sistemin bankar, më 31 dhjetor 2021, arritën 1,11 trilionë lekë dhe përbëjnë pjesën më të madhe të totalit të depozitave të sigurueshme, konkretisht 82% të tyre. Ndërsa vlera e siguruar e depozitave të individëve për sistemin bankar, në fund të dhjetorit 2021, ishte 739 miliardë lekë, dhe përbënte 66.4% të vlerës së depozitave të sigurueshme të individëve.

Numri i depozituesve individë që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave në sistemin bankar, në fund të vitit 2021, ishte më shumë se 2.6 milionë lekë. Ndërsa depozituesit individë, me depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë në fund të dhjetorit 2021 ishin 109,192 dhe shuma e depozitave të tyre arriti vlerën 646 miliardë lekë.

Ndërkohë, depozitat e sigurueshme të shoqërive tregtare në sistemin bankar, në dhjetor 2021, arritën vlerën 245 miliardë lekë dhe gjatë vitit u rritën me 25%. Depozitat me shuma deri në 2.5 milionë lekë përbënin 9.7% të kësaj shume, kurse depozitat me shuma mbi 2.5 milionë lekë përbënin 90.3% ndaj totalit.

Numri i shoqërive që kanë depozita, sipër vlerës së mbulimit, ishte afërsisht 11,900 të tilla. Megjithëse zotërojnë 90.3% të depozitave, këto kompani përfaqësojnë vetëm 7.8% të numrit të depozituesve tregtarë e shoqërive tregtare./ Monitor.al