Me apo pa gëzim, mendja e “Djallit” tashmë mund të përqendrohet lirisht te sfida e sotme me Totenhemin. Në perëndim të humbjes me Fiorentinën, Stefano Pioli garantoi në dy aspekte. Së pari, që disfata nuk erdhi si pasojë e shpërqendrimit të shkaktuar nga përballja e Champions-it e ky nuk është një sinjal i mirë. Së dyti, që Milani i tij do të jetë gati për një përplasje të madhe. Kjo të paktën është pamja nga jashtë e “oborrit” kuqezi që nuk u mundëson qetësi tifozëve për sfidën e radhës. Milani vijon të jetë “i lëkundur” e në ndërtim e sipër dhe duket sikur mekanizmat e sigurisë taktike nuk janë asimiluar ende krejtësisht.
PROBLEMT – Le t’i marrim gjërat me rend. Ndaj Fiorentinës u pa një Milan, ndoshta, shumë i shëmtuar për të qenë i vërtetë. Tema kryesore mbetet vështirësia për të spostuar lojën në fushën kundërshtare. Kjo është shqetësuese, por nga ana tjetër, lehtësimi vjen nga fakti se vështirësia në fjalë erdhi si pasojë e morisë së gabimeve elementare. Dy dalje “bosh” të Çaut, gabimi i Tomorit te penalltia, apo paraqitja e mefshtë e Rebiçit janë njollat më të mëdha të asaj që nuk shkoi në Firence. Kësaj pjese i shtojmë problemet e zakonshme të De Ketelares, pasiguritë anormale të Tonalit dhe formën delikate të Benaserit. Praktikisht shumë gjëra që nuk do ta justifikonin cilësimin e Milanit si “statistikisht të sigurt”.
MUNDËSI SUKSESI – Nga ana tjetër, duke lënë mënjanën humbjen e së shtunës, nuk duhet harruar se kuqezinjtë vinin nga një seri prej 4 fitoresh pa pësuar gol. Kjo nuk e zbeh faktin se Totenhemi do të kërkojë revansh për të vijuar në Champions e për t’u ringjallur pas një periudhe me rezultate negative. Anglezët do të kenë mbështetjen e publikut të tyre dhe e vetmja mënyrë për të dalë “pa u lagur” është që Pioli të mbështetet te përvoja e të tijve dhe te synimi për të qeverisur lojën. Në ndeshjen e parë Milani fitoi duke kërkuar suksesin me dhëmbë. Rastet e humbura në “San Siro” mund të peshojnë, por edhe mund të shërbejnë si mësim për të tentuar golin që më pas do të orientonte edhe kualifikimin.
RIKTHIMET – Ndaj Fiorentinës munguan, por për sfidën e radhës Pioli rigjen të skualifikuar Kruniçin dhe Leaon, pa harruar shërimin e Diazit që nuk u rrezikua pas një problemi muskulor të shfaqur përpara transfertës në Firence. Boshnjaku dhe portugezi janë lojtarë të ndryshëm e po aq të ndryshme janë ndihmat që mund t’i japin ekipit. Totenhemi do të jetë i detyruar të sulmojë e në mënyrë të pashmangshme do të dhurojë hapësira, të cilat për sprintet e Leaos mund të kthehen në pista goli për Milanin. Sa për Kruniçin e çlodhur, aktivizimi si fantazist mund t’i japë hapësirën e një terreni gjahu, sepse mesfushori ka dinamizmin e duhur që i duhet Milanit në këto momente. Alternativa mbetet, siç thamë, Diazi, që me driblimet e tij mund t’u krijojë jo pak telashe anglezëve muskulozë. Sa për pjesën tjetër të formacionit janë të pakta dilemat që mund të ketë Pioli për sfidën e Londrës. Çau, për nivelin e shfaqur, nuk duket se do të mungojë, ndaj njëri mes Kalulusë dhe Tomorit mund t’i bëjë vend Kjaerit që në sfidën e “San Siro”-s pati izoluar më së miri Kejnin. Siguritë e prapavijës i shton Menja, ndërkohë që dyshimet mund të përfshijnë korsinë e djathtë ku Salmakers, Kalabria e Mesias luftojnë për një fanellë titullari.