MENU
klinika

Analiza

Pse në Evropë mund të përsëritet “Kriza e raketave kubane”?

28.03.2023 - 12:07

Nga Marsela SHYTIA

E ngecur, më e dobët se kurrë në front në një luftë të përgjakshme që fillimisht u konsiderua si një “operacion special”, Moska ka patur hapësirë tejet të reduktuar për të vepruar muajt e fundit. Praktikisht asnjë nga nismat ushtarake të Putinit nuk e ka arritur qëllimin e dëshiruar, dhe thuajse të gjitha kanë pasur një çmim shumë të lartë. Ndërkohë, NATO ka hedhur edhe bazat për një zgjerim të konsiderueshëm drejt Lindjes, i cili me shumë gjasa do të çojë në anëtarësimin në aleancë të Finlandës së pari dhe më pas të Suedisë. Në këtë ngërç gjeopolitik, Moska, ndonëse pa sukses, ka përdorur shpesh kërcënimin nga armët atomike. Mirëpo, deri tani ka arritur shumë pak rezultate.

Dy alternativat e fundit

Në fund të fundit, veçanërisht përballë Evropës, Kremlini ka vetëm dy “asa nën mëngë” dhe tani po luan me këto karta të mbetura, pa patur alternativa të tjera. E para është aleanca e fortë me Bjellorusinë. Edhe para shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, Bjellorusia konsiderohej “Kuba e Evropës”. I quajtur nga shumica e ekspertëve si “diktatura e fundit në Evropë”, vendi nga viti 1994 deri në fund të vitit 2021 kishte arritur të përmirësonte kushtet e tij ekonomike, pikërisht duke shfrytëzuar faktin e të qenit objekt i “konfliktit” mes Moskës dhe Brukselit. Aleksandër Lukashenko, ndoqi modelin e Putinit, duke i dhënë fund liberalizmit, por duke shfrytëzuar të gjitha avantazhet e të qenit në kufirin mes dy botëve.

Putin says Moscow to station nuclear weapons in Belarus | RNZ News

“Kuba e Evropës”

Ky avantazh tani ka mbaruar dhe Putini i paraqiti atij faturën që e tërheq zvarrë në konfliktin ukrainas. Dhe tani diktatori duhet të qeverisë një lloj të ri “Kube”. Ai duhet të presë “në shtëpi”armë bërthamore taktike nga Rusia. Shkurtimisht, Bjellorusia është tani “Kuba e Evropës”, duke kujtuar këtu edhe krizën e raketave të vitit 1962. Putin njoftoi se “më 1 korrik do të përfundojë ndërtimi i një depoje për armët taktike bërthamore”. Presidenti rus ka thënë se armët bërthamore në Moskë nuk do të transferohen, por se ato do të vendosen atje për të trajnuar ushtrinë bjelloruse. Kjo tentativë frikësimi, ndonëse ende e kontrolluar, alarmoi Poloninë dhe vendet baltike. Sigurisht që nuk është një krizë e re raketash, por është sigurisht një hap i rrezikshëm që e rrezikon edhe Lukashenkon, i cili nuk i ka “çelësat” e këtyre armëve bërthamore, dhe e vendos në një pozitë të vështirë, duke qeverisur një popullsi gjithnjë e më të pakënaqur.

Raketat e Kaliningradit

Mjeti tjetër i kërcënimit rus mbetet rajoni i Kaliningradit. Vendndodhja gjeografike e tij është strategjikisht dhe ushtarakisht e favorshme për Rusinë. Është i vetmi port rus në Detin Baltik që është pa akull gjatë gjithë vitit, dhe atje është e vendosur flota ruse e Detit Baltik. Rusia ka gjithashtu raketa bërthamore në Kaliningrad, duke i vendosur ato brenda rrezes së goditjes së kryeqyteteve të mëdha evropiane. Enklava, e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë në Detin Baltik  ka qenë historikisht pjesë e Polonisë, Prusisë dhe Gjermanisë derisa u pushtua nga Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore. Që atëherë ajo ka mbetur nën kontrollin rus.

Why Does Russia Want Tactical Nuclear Weapons in Belarus? | Military.com

Në muajt e fundit, avionët rusë, amerikanë dhe evropianë i janë afruar asaj hapësire ajrore. Fluturimet me devijime të papritura, sigurisht që shërbyen edhe për të identifikuar bateritë e lëvizshme të ICBM-ve ruse Iskander, të shpërndara në pyjet e padepërtueshme të Kaliningradit. Një kërcënim tjetër për Evropën, që kur vjen puna tek Rusia, ka humbur unitetin që e ka karakterizuar për dekada të tëra.

Shënjestra e Rusisë

Vendimi i Rusisë për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi ka alarmuar Perëndimin, sidoqoftë Polonia, vendi fqinj i Bjellorusisë që konsiderohet si “shënjestër”, duket “imune” ndaj këtyre kërcënimeve duke tentuar të qetësojë edhe aleatët. Moska tha se po e bënte këtë veprim si përgjigje ndaj rritjes së mbështetjes ushtarake të Perëndimit për Ukrainën. Putin argumentoi se duke vendosur armët e saj taktike bërthamore në Bjellorusi, Rusia po ndiqte shembullin e SHBA-ve të cilat kishin armë bërthamore me bazë në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi.