MENU
klinika

Mentor Nazarko

Recetë për një sallatë të shijshme maqedono-shqiptare

08.03.2023 - 17:50

Skena politike shqiptare në Maqedoni është në trysninë e zhvillimeve cilësore që mund ta ndryshojnë jo vetëm statuskuonë elektorale të saj. Nga njëra anë, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, dikur udhëhequr nga Zijadin Sela, hyn në qeveri duke sjellë individë me cilësi të spikatura në role ekzekutive, pas eksperiencës agresive në opozitë,me një riorientim të ri kah Shqipëria (jo veç Kosova). BDI e kryesenjorit Ali Ahmeti, po ndihet e kërcënuar nga lufta e brendshme e ish senjor-ve të saj -Musa Xhaferri, e Izet Mexhiti, luftë që mund ta dobësojë të paktën në Shkup e Çair. Besa e Bilal Kasamit, që kontrollon Tetovën, komunën më të madhe, sheh sesi flamuri i i opozitës i mbetet vetëm asaj tek shqiptarët, dicka që mund ta favorizojë elektoralisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia më e vogël Alternativa që doli prej qeverisë, në përpjekje për të mbajtur të ndezur flakën e protagonizmit shqiptarocentrik, hodhi tezën e Asosacionit të komunave shqiptare, si refleks i kërkesës serbe për Kosovën, por nuk dihet sa flaka do të mbetet e ndezur.

Në fakt ky është thjesht një lexim fuqie elektorale dhe jo i cilësisë së vërtetë programore të partive shqiptare në skenën politike maqedonase, relativisht të populluar. Aleanca për Shqiptarët i ka ofruar qeverisë imazhin e mirë të pakorruptuar të kreut të saj Taravari si kryekomunar i Gostivarit, ekspertizën e Hazir Aliut, etj, dicka që mund të jetë e shëndetshme krahasuar me bjerrjen e madhe morale të BDI në pushtet prej shumë vitesh. Ama pritet të shihet a do të mbetet programor ky afrim, dhe cfarë axhende në favor të shqiptarëve dhe shoqërisë maqedonase sjell ky kapërcim i ylberit për ASH. Pa hyrë në analizën programore të partive të tjera, po duket qartë se kjo hyrje e ASH në qeveri e rrit ndjeshëm përfaqësimin e shqiptarëve në poste ekzekutive ndoshta në më shumë se 50%. Mirëpo a sjell skenarë gjithsesi të volitshëm për interesat e shqiptarëve në afat të mesëm- kjo rritje e përfaqësimit, bashkë me kërkesën për kryeministër shqiptar 3 muajt e fundit? VMRO-DPMNE, e Mickovskit, prapa të cilit ndihet hija e fuqishme e Gruevskit që poston përditë në facebook qëndrime të forta apo glorifikuese të veprave të veta ekzekutive, po rritet ndjeshëm. Gruevski I falur penalisht, mbrapa apo para Mickovskit nesër në qeveri, mund të sjellë dhe front panmaqedonas, ashtu si dhe interesa ruse dhe serbe. Skenari i rritjes së përfaqësimit ekzekutiv shqiptar, ndërlidhur me krizën kushtetuese prej bullgarëve ngjan se e rrit frikshëm VMRO-në, madje dhe Levicën haptazi proruse. Ndërsa LSDM, duket qartë se ka krizë lidershipi, pra prirja e saj elektorale duket rënëse.

Po mundohemi të kuptojmë ndikimin e ngjarjeve të reja në avancimin e statusit të shqiptarëve dhe të vetë Maqedonisë. Me statuskuonë aktuale – sa për shembull-faktori kryesor shqiptar, BDI me qendrimin e gjatë në pushtet, nuk ka prodhuar dot as 17 kilometra autostradë drejt Kosovës, as universitete elitare megjithë shtimin numerik të tyre, as emancipim cilësor shoqëror, ndërsa figurat religjioze islame kanë ndikim të fuqishëm dhe jo rrallë prapambetës.
Ndaj duhen kqyrur disa drejtime të paeksploruara, që e prishin statuskuonë dhe mund të riorientojnë elektoralisht, por jo vetëm elektoralisht prirjet e shoqërisë maqedonase.

Disa sugjerime

Avancimi numerik i shqiptarëve në kontrollin e një pjese të pushtetit në Republikën fqinje, ofron karburant për nacionalizmin maqedonas.Kjo nuk i leverdis Perëndimit, pra nuk duhet t’i pëlqejë as shqiptarëve. Ndaj ka ardhur koha, madje shumë më herët, për një Marrëveshje të madhe, midis dy popujve, a kombeve, ku hyn pra dhe Shqipëria. Njëlloj Traktati miqësie i RMV me RSh, i cili si shtyllë kryesore ka garancitë për faktorin maqedonas se Shqipëria dhe shqiptarët kurrë nuk do të konspirojnë për dobësimin e shtetit të tyre, se do respektohen popullsitë respektive në territorin e njera tjetrës, etj, etj. Brenda këtyre garancive, mund të parashihet dhe përfshirja e dy qeverive, e bizneseve të dy shteteve, diasporave përkatëse, për projekte infrastrukturore me interes të përbashkët si është përshembull Porti i Vlorës. Konflikti ruso-ukrahinas e ka rritur fuqishëm rëndësinë e Korridorit tetë, por baza portuale e këtij Korridori ka nevojë dhe për Vlorën. Një Fond i përbashkët investiv, i hapur për publikun, biznesin, mund të ishte zgjidhje. Ky Traktat në fund të fundit, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar (pa dobi hëpërhë), një traktat të tillë me Bullgarinë, apo një surrogat (Prespa) të tij me Greqinë, ngjan i vonuar, sa kohë që Shqipëria ka gjithmonë faktor stabiliteti për republikën e re: në 1992, e njohu e para; ofroi lehtësira portuale gjatë embargos greke (embargo që s’u shfrytëzua si duhej madje prej Shqipërisë;), etj.. Ky traktat duhet të negociohet dhe firmoset patjetër para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Nëpërmjet ketij instrumenti diplomatik të miqësisë të propaganduar fuqishëm, mund të shërohet sadopak vetëdija e popullit maqedonas të helmuar aktualisht nga ndikime ruse, serbe, etj, duke i krijuar idenë se Adriatiku ku shkojnë për pushime të lira, është dhe det i tyre.

Një sugjerim tjetër vlen për politikën e jashtme shqiptare. Një arsye pse Serbia është faktor i fuqishëm rajonal, veç ekonomisë dhe armëve, është dhe ndërlidhja e popullsive serbe me Beogradin. Tirana e fuqizuar ndjeshëm ndërkombëtarisht si anëtare e Këshillit të Sigurimit, me bazë të NATO-s, etj, duhet të rikonceptojë politikën e vet rajonale, duke ndikuar faktorin shqiptar (si ishte Tryeza e Tiranës, por jo vetëm) kah perëndimi, kah pajtimi, kah racionaliteti, kah rrallimi i lastarëve partiakë sherrxhinj, me instrumentin e non grata-s, madje. Në këtë drejtim, ajo logjistikisht duhet të orientojë në mënyrë centralizuese këtë politikë, me një figurë profesionale, që koordinon apo ndihmon ambasadorët në seicilin prej vendeve.

Këto ishin disa sugjerime modeste për një sallatë të shijshme maqedono- shqiptare. E ngrënshme dhe për miqtë perëndimorë, aq shumë të ndjeshëm historikisht per ruajtjen e stabilitetit në vendin e vogël me rëndësi strategjike globale si kryqëzim i korridoreve më të rëndësishme të botës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Instrument që ka relaksuar marrëdhëniet Serbi-Shqipëri"

“Ballkani i Hapur”, Nazarko: Ka rezultate pozitive, ja kush janë kundër kësaj nisme

"Duhet të bashkëpunosh me Shqipërinë dhe të ulesh me të përballë fqinjit verior"

“Ballkani i hapur”, Nazarko: Besoj se Kosova ka qenë e ftuar në Shkup, për të kufizuar ndikimin e Serbisë