Hetimi për marrëveshjet sekrete të pagave të Juventusit ka zbuluar një bisedë mes drejtorëve të klubit ku konfirmohet se Cristiano Ronaldo kishte firmosur dokumentet. Zyra e Prokurorit Publik të Torinos po shqyrton praktikat financiare të bardhezinjve gjatë viteve të fundit, përkatësisht përdorimin e tyre të supozuar të vlerave të fryra të transferimeve të lojtarëve për të falsifikuar fitimet kapitale dhe mashtrimin e tyre të tregut me marrëveshje sekrete për pagat e lojtarëve.
Sipas ‘Calciomercato.com’, Guardia di Finanza ka zbuluar një bisedë të zhvilluar mes drejtorëve të shumtë të Juventusit në WhatsApp, ku ata diskutuan situatën e Ronaldos.
Në orën 13:42 të datës 23 prill 2021, sekretari i klubit Paolo Morganti shkroi në grupin WhatsApp: “Manovra e dytë me pagën, Cristiano ka firmosur. Ai ka një kopje të të gjitha dokumenteve”.
Drejtori sportiv Federico Cherubini më pas u përgjigj: “Mirë!”. Në të njëjtën bisedë në WhatsApp, kreu i departamentit juridik të Juventusit, Cesare Gabasio, shkroi tre ditë më parë: “I pari i gatshëm për të nënshkruar është Cristiano”.
Më 11 shtator 2021, Morganti dërgon një email të brendshëm duke thënë: “Ndoshta shuma e treguar duhet të jetë ajo e shkrimit në dorën e lojtarit”. Ronaldo me sa duket hoqi dorë nga 19.5 milionë euro në paga në sezonin 2020/21, në fazat e hershme të pandemisë COVID dhe Zyra e Prokurorit Publik të Torinos beson se klubi privatisht pranoi ta paguante këtë, pavarësisht se kishte shpallur vendimin e tyre për të ngrirë pagat për disa muaj.