Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i pritën të dyja shumë mirë marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, por duket se Uashingtoni ka më shumë arsye për të qenë i lumtur. Sipas bashkëbiseduesve të Blic, marrëveshja franko-gjermane mund të shërbejë si pikë kthese dhe pjesë e rëndësishme për realizimin e planit që pesë vendet e BE-së ta njohin përfundimisht Kosovën. Siç theksojnë ata, kjo është edhe mënyra më e lehtë për Prishtinën që t’i hapen dyert anëtarësimit në NATO dhe BE. Së fundmi Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se nëse marrëveshja Kosovë-Serbi zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Prishtinës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende këtë. Jo vetëm kaq, ai tha se Amerika po punon për këtë
Rruga drejt NATO-s dhe BE-së
Në “shënjestër” duket se janë Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, të cilat që nga viti 2008 kanë injoruar pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, ata së fundmi mbështetën propozimin franko-gjerman që u prezantua në shtator. Pasi negociatorët kryesorë dhanë dritën jeshile, pesë vendet e miratuan atë, pas diplomacisë së përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit special të Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar. Ky i fundit tha se qëllimi është njohja, gjë që nuk është për t’u habitur sepse SHBA është ndër përkrahësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës. Këtë na e kujton edhe Suzana Grubjeshiç nga Qendra për Politikë të Jashtme. Ajo thekson për Blic se një nga aspektet kryesore të mbështetjes amerikane për planin evropian është që pesë anëtarët e BE-së ta njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. “Konsiderohet se është më e mundshme dhe më e thjeshtë sesa insistimi për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që mund të pengohet nga vetoja e Rusisë dhe Kinës”, thekson Grubjeshiç. “E nëse këto shtete do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës, varet nga politikat e tyre të brendshme, të cilat deri më tani i kanë penguar që ta njohin Kosovën si shtet të barabartë”, thotë ajo.
Njohje e sigurt ‘de facto’
Kjo është arsyeja pse, siç vleëson për Blic politologu për marrëdhënie ndërkombëtare Dimitrije Miliç, SHBA-të kanë gjetur mënyrën për të arritur qëllimin. “Kur bëhet fjalë për pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, qëndrimet e tyre ndryshojnë nga njëri-tjetri. Më e ashpër dhe më e fuqishmja politikisht mes tyre është sigurisht Spanja. Ajo për të cilën flet Anthony Blinken është një njohje më e sigurt de facto, ku disa shtete de juro do të mbeteshin pa deklarata njohjeje, por në kuptimin praktik marrëdhëniet do të funksiononin sikur ta njihnin Kosovën”, thotë ai. Kushtet e brendshme të vendeve, vëren ai, ndikojnë pa dyshim shumë situatën. “Nëse e djathta fiton zgjedhjet spanjolle në dhjetor, mundësia për njohje të hapur të Spanjës do të binte në mënyrë drastike. Kur e djathta sundonte në Madrid në kohën e Marian Rajoy, qëndrimi i Spanjës në lidhje me Kosovën ishte shumë i ashpër”, kujton Miliç.
Tre shtete presin “dritën jeshile”
“Nuk e dimë se si do të reagojnë Spanja dhe Qiproja, por këto tri shtete (Sllovakia, Greqia dhe Rumania) presin që Kurti dhe Vuçiç të shtrëngojnë duart dhe ata do ta njohin Kosovën”, ka thënë Mijaçiq. U spekulua se Greqia mund të dorëzohej e para dhe dy ditë më parë kreu i tyre i diplomacisë, Nikos Dendias, ishte në Beograd dhe me atë rast përgëzoi marrëveshjen e arritur midis Beogradit dhe Prishtinës në Ohër dhe konfirmoi mbështetjen e Greqisë për ecurinë e mëtejshme të dialogut. Në vitin 2008, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë, e cila u njoh nga 22 shtete anëtare të BE-së. Spanja mban një qëndrim të tillë sepse ka dekada që lufton me separatizmin katalanas dhe bask, dhe Greqia sepse nuk e mbështet ndarjen e pjesës veriore të Qipros. Qiproja e kundërshton për shkak të problemeve territoriale me Turqinë, ndërsa Sllovakia ndikohet nga marrëdhëniet marrëdhëniet historike me Serbinë. Sa i përket Rumanisë, duket sendikohet nga frika e shkëputjes së Tokës së Szeged në Transilvani, një rajon i banuar nga hungarezët etnikë, situata me rajonin e Transnistrisë, por edhe marrëdhëniet e mira me Serbinë.