Tirana bëhet gati për derbin me Partizanin. Skuadra bardheblu ka nisur përgatitjet për sfidën me të kuqtë, teksa trajneri Orges Shehi ka kërkuar nga grupi që të jetë i përqendruar te kjo sfidë. Me grupin e plotë, Shehi tashmë është duke analizuar kundërshtarin për sfidën derbi.
Problemi kryesor i trajnerit Orges Shehi është formacioni që do të hedhë në fushën e lojës në ndeshjen me Partizanin. Deri në këto momente Shehi ndeshjet e fundit ka luajtur me katër mbrojtës.
Gjithsesi, në këtë sfidë planet do të ndryshojnë. Trajneri është duke menduar që skuadra të ndryshojë modulin e lojës. Kështu, skuadra do të rreshtohet me tre mbrojtës dhe dy sulmues.
FORMACIONI – Tirana pritet që të luajë skemën 3-5-2, ndërsa bardheblutë luajnë me tre mbrojtës, pesë mesfushorë dhe dy sulmues.
Në portë si zakonisht do të luajë Visar Bekaj. Rreshtimi do të jetë me tre mbrojtës, duke nisur nga Najdovski, Lulaj dhe Behiratçe.
Mesfusha ka ndryshuar e gjitha, duke filluar nga krahu i majtë, ku do të luajë Rimal Haxhiu. Në krahun e djathtë do të luajë Përgjoni.
Në mes do të jenë tre lojtarë, Aleksi, Deliu dhe Lushkja. Një alternativë është edhe Hila. S
ulmi do të jetë i ndërtuar nga dyshja Hasani-Patrik. Skema 3-5-2 në disa raste ka qenë shumë e suksesshme, duke fituar ndeshje të ndryshme.
Në këto kushte, trajneri Orges Shehi pritet të aplikojë këtë skemë. Mungesa e vetme e Tiranës pritet të jetë Kristal Abazaj, i cili është i dëmtuar dhe zor se do të luajë në derbi.
Tirana duhet të ketë frikë kartonët në sfidën me të kuqtë. Me nga tre kartonë të verdhë te Tirana janë Bekaj, Iseni, Hila, dhe Najdovski, dhe nëse ndëshkohen edhe në sfidën me Partizanin do të humbasin takimin e radhës në Superiore me Laçin. Tirana është në krye të renditjes me tri pikë më shumë se Partizani i vendit të dytë.
Skuadra bardheblu është e para në renditje, ka fituar Superkupën e Shqipërisë dhe është pothuajse në gjysmëfinalen e Kupës. Bardheblutë duket se e kanë “autostradë” deri në javën e dytë të fazës së tretë të Superiores. Nga shtatë ndeshje në Superiore, gjashtë prej tyre i luajnë në fushën e tyre deri në javën e dytë të fazës së katërt.