MENU
klinika

Gjirokastër

Shpërndante heroinë dhe kanabis, arrestohet 37 vjeçari

24.03.2023 - 11:17

Arbër Maliqi, 37 vjeç, është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi shpërndante heroinë dhe kanabis në zona të ndryshme të qytetit. Me vete ai ka pasur dhe një sasi lekësh të përfituara nga kjo veprimtari.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Katrori”.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi Arbër Maliqi, 37 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 73 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular”, njofton Policia e Gjirokastrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.