MENU
klinika

"Përse s’kanë interes grekët që në Vlorë të bëhet një port i madh!?"

Shpëtim Nazarko: Zogu, shtetari më i madh që ka pasur Shqipëria

25.03.2023 - 15:23

Analisti Shpëtim Nazarko e konsideroi Ahmet Zogun si shtetarin më të madh që ka pasur Shqipëria.

Nazarko vlerësoi faktin që Zogu mbante pas tij gjithmonë këshilltarë të dorës së parë.

“Pjesa e majtë e mban Ahmet Zogun si satrap. Unë e mbaj si shtetarin më të madh që ka pasur Shqipëria. Pavarësisht se ai ka pasur veset e veta. Por Ahmet Zogu kishte gjithnjë këshilltarë të dorës së parë nga mbrapa.

Domethënë italianë, që na vidhnin themi ne! Në vitet 25-30’, këta që shajmë ne Mit’hat Frashëri, Mitrush Kuteli, shumë agallarë të mendjes, mbanin leksione publike për pronën, konferenca që s’i kemi arritur sot. Në xhandarmëri mori këshilltarë anglezë. Në planifikim ka pasur arkitektët më të mirë të botës”, tha ai për emisionin e Mustafa Nanos.

Nazarko theksoi se e vetmja reformë agrare në Shqipëri është bërë në kohën e Ahmet Zogut.

Nazarko deklaroi në emisionin “Arnautistan” se Greqia nuk ka interes që në Vlorë të bëhet një port i madh.

Ai theksoi se Vlora ka dy përparësi në raport me portet greke, që lidhet me thellësinë dhe faktin që mund të mbajë transoqeanik.

Teksa u ndal te Korridori 8, Nazarko e konsideroi si hap të rëndësishëm atë që po bëhet për lidhjen e Durrësit me Maqedoninë e Veriut, por vuri në dukje pika e errët është mos përfshirja e Portit të Vlorës.

“Është rruga më e shkurtër që lidh Portin e Durrësit me vijat ndërkombëtare të komunikacionit, megjithëse unë gjithmonë mbaj dyshimin, se në këtë projekt të Europës ka një pikë të errët sepse nuk është i përfshirë aksi Rrogozhinë-Elbasan. Që do të thotë nuk është i përfshirë Porti i Vlorës, që potencialisht është një nga portet më të mëdha të Mesdheut dhe botës.

Europa po na thotë që po do t’ju lidh me botën, por me një kafshitë të vogël, me një rrip të vogël që është Porti i Durrësit. Fakti që s’është përfshirë ky aks do të thotë që nuk ekziston në vizionin e tyre.

Për shkak të pozicionit gjeografik që ka Shqipëria, për shkak se është e hollë dhe e gjatë, detyrimisht do të lidhte dy portet e veta më të rëndësishme, Vlora dhe Durrësi, me Maqedoninë për të dalë në rrugët që lidhin Lindjen me Perëndimin.

Nuk e zëvendëson dot Igumenica Vlorën dhe nuk mund të transformosh akset që dikur edhe sot kanë lidhur Lindjen me Perëndimin. Lë ta quajmë si hap të parë të rëndësishëm këtë që ne po bëjmë, Durrës-Maqedoni, shkon ajo rrugë afër Librazhdit dhe pastaj kthehet që të evituar Qafën e Thanës, dhe pastaj të shikojmë më vonë”, tha ai.

Pyetjes se grekët s’kanë pikë interesi që në Vlorë të bëhet një port i madh, Nazarko i jep këtë përgjigje:

“Padiskutim, sepse kjo do të thotë që gjithë Greqia e Veriut duke përfshirë edhe Selanikun të shfrytëzojnë Vlorën. Vlora ka një thellësi 54 metra, që do të thotë mund të mbajë transoqeanik. Greqia ka dy të meta në krahasim me Vlorën, një që Vlora është thellësi shumë e madhe, mban transoqeanik që për Greqinë janë shumë të vështira, për shkak të natyrës ishullore dhe për shkak të vijave të komunikacionit.

Nga pikëpamja gjeopolitike Greqisë s’do t’i interesonte një Shqipëri kaq e fortë, sepse në pozicionin gjeografik, një Greqi që ka prapa një Turqi jo shumë mike, disa vende arabe jo shumë mike, po të ketë edhe një Shqipëri që s’e shfrytëzon dot ekonomikisht, mbetet apandesiti i këtij pozicioni në Ballkan. Kurse në mënyrën si kemi vepruar ne, jemi shndërruar ne në zorrë qorre të Ballkanit ose Europës”.