MENU
klinika

Pak histori

Sulltan Novruzi, simbolika e festës bektashiane

22.03.2023 - 13:31

Besimtarët bektashinj festojnë më 22 mars festën e Sulltan Novruzit, që përkon me ekuinoksin pranveror e që simbolizon ripërtëritjen nga dimri.

PAK HISTORI

Ka emërtime të ndryshme sipas krahinave dhe konfesioneve fetare: si “Vangjelizmoi”, 25 mars (tek popullsia orthodokse), Novruzi, 22 mars (tek muslimanët dhe bektashinjt), Dita e Zojës, 25 mars (tek katolikët). Festimet zgjasin tri ditë. Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. 22 Marsi bie në afërsi të kthesës pranverore të diellit, kur dita dhe nata bëhen njëlloj (ekuinoksi pranveror), pra simbolizon ardhjen e pranverës. Bektashinjtë njohin vetëm dy stinë (sipas traditës) pranverën dhe dimrin.

TRADITA

Kjo ditë festohet kudo ku jetojnë e predikojnë besimtarë bektashianë. Që herët në mëngjes gratë e nuset e shtëpisë hapin dyert e dritaret. Shkojnë e mbushin shtamat me ujë dhe derdhin ujë me bollëk në pragjet e shtëpisë, për të pastruar të ligat nga shtëpitë e tyre e për tí gjetur mbarë e pastër kjo festë. Festa e Sulltan Novruzit simbolizon “shpëtimin e të varfërve dhe njërëzisë, nga dimri i acartë dhe skamja”. Ardhja e pranverës i jep jetë, ushqim, ngrohtësi, bereqet, dashuri e gëzim të varfërit, të vobektit, të verbrit, të mjerit e kujtdo që lëngon nga shëndeti i keq. Kjo ditë sjell shpresë për më shumë mbarësi. Lindja e profetit Imam Ali kurrsesi nuk lejon që njeriu të kursej ndihmën, “sadakanë për shpirt”.

GATIMET

Gatimet dhe ushqimet karakteristike për këtë ditë janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët simbolizojnë 12 imamët, 12 muajt e vitit dhe jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë për vitin e ardhshëm. Brenda byrekut futet një monedhë. Ai që gjen monedhën thuhet se është me fat. Ai do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Këtë ditë bëhet kurbani i cili ndahet në 3, 7 ose 12 nishane (numra profetikë) dhe me gjakun e kurbanit ngjyhet balli dhe pëllëmba e djathtë për tu mbrojtur nga e liga e dashakeqët. Gjithashtu gatuhet edhe përsheshi me pulë ose mish qëngji, qingji i pjekur. Sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumshti, që është simbol i qumshtit të nënës, orizi që sibolizon drithrat, bollëkun. Këtë ditë merret edhe pak sherbet i kënduar në teqe dhe u jepet nga një lugë pjestarëve të familjes, miq e të ftuar në shtëpi atë ditë. Kjo me besimin se çdo kujt i dëshirohet mbarësi. Në disa raste për këtë festë gatuhet edhe kabuni (oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).

Qysh herët në mëngjes nuseve të reja e fëmijëve u jepet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re, shëndet e sa më shumë qumësht gjiri për nuset që do të lindin fëmijë. Quhet e Zotit kur në këtë ditë zonja e shtëpisë shpërndan qumësht, i cili kuptohet si bardhësi e bollëk edhe për të varfërit e të vobektit. ose në fshatë bëhen edhe kuleç me petë dhe fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk.

Sulltan Nevruzi bënë thirrje për t’u ngritur mbi cmirën, vesin e ligësinë, përciell mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës sonë kombëtare, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare. Nuk ka rëndësi se çfarë kurbani bëhet, sepse varet nga mundësitë që kanë njerëzit, e rëndësishme është që të bëhet kurban, byreku, ëmbëlsira dhe të ndahet me këdo që është në nevojë e kërkon ndihmë.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe