MENU
klinika

Mediat serbe japin alarmin

Të shtunën fillon sërish “ferri” në Veri të Kosovës

31.03.2023 - 10:58

E shtuna mund të sjellë tensione të reja në veri të Kosovës. Prishtina njofton se nga ajo ditë nuk do të lejojë më hyrjen e automjeteve me targa të Serbisë KM në Kosovë. Analistët mendojnë se vetëm BE-ja dhe SHBA-ja si ndërmjetësues mund të qetësojnë situatën, aq më tepër që presin zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Media serbe “blic” shkruan se marrëveshja e Ohrit as që ka filluar të zbatohet, dhe Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një mollë sherri të vjetër, “targat”. Problemi që u zgjidh vetëm përkohësisht në fund të nëntorit të vitit të kaluar, me sa duket do të jetë në rendin e ditës tashmë këtë fundjavë. “Blic” shkruan se qeveria e Albin Kurtit është nën kritika të rënda nga opozita për shkak të njoftimit se do të formojë Bashkimin e Komunave Serbe. Prandaj me shumë gjasa deri në fundjavë do t’u kthehen vendimeve të njëanshme, të cilat supozohet se do të tregojnë se Kosova është e pavarur. Një nga ato vendime është ndalimi i hyrjes në Kosovë e Metohi për veturat me targa serbe apo KM. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura me targa KM, ndërsa nuk ka targa të tjera të Serbisë. Serbët në jug të Ibrit u detyruan të riregjistrojnë automjetet e tyre nga KS në targa RKS për shkak të lirisë së lëvizjes.

Serbët japin alarmin

Milica Andriç Rakiç nga “Neë Social Initiative”, organizatë joqeveritare nga Mitrovica e Kosovës, beson se prilli mund të jetë plot tensione në veri të Kosovës. “Nëse Qeveria e Kosovës qëndron konsekuente, do të thotë se nga 1 prilli, markat KM nuk do të mund të udhëtojnë në Kosovë apo të përdorin vendkalimet me Serbinë”, ka thënë Andriç Rakiç. Siç tha ajo, Qeveria e Kosovës tashmë është kritikuar nga BE-ja dhe SHBA-ja për shkeljen e marrëveshjes për targa që e kishte arritur në fund të nëntorit. Sipas asaj marrëveshjeje, Beogradi mori përsipër që të mos lëshojë targa të reja KM, dhe Prishtina të heqë dorë nga paralajmërimet dhe gjobat për pronarët e automjeteve me targa KM. Mirëpo në muajin janar sërish ka pasur tensione në vendkalimet administrative, ku janë ndaluar disa automjete me targa KM.

Targat

Ish-diplomati Zoran Milivojeviç tregon se çështja e targave mesa duket nuk ka përfunduar. “Në nëntor u arrit një marrëveshje e përkohshme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Nuk e di nëse tema e targave është përfshirë në Marrëveshjen e Ohrit, por sigurisht që kjo çështje do të duhej të përfshihej në ndonjë paketë të normalizimit të marrëdhënieve”, vlerëson Milivojeviç. Ai beson se Prishtina do të sillet si më parë. “Pala prishtinase do të vazhdojë të përpiqet të zbatojë të gjitha vendimet e marrëveshjes që janë në favor të sovranitetit të Kosovës. Sidomos tani që Albin Kurti ka probleme me opozitën. Mund të jetë preludi i një krize të re dhe përshkallëzimi i tensioneve. Është e qartë se do të duhet ndërhyrje nga ana për të kontrolluar situatën”, beson Milivojeviç.

Paralajmërohet vendosja e barrikadave

Nga ana tjetër, përveç targave, themeluesi i Forumit për Marrëdhëniet etnike dhe analisti serb, Dushan Janjiç ka paralajmëruar për rikthim të barrikadave në Veri të Kosovës. Janjiç u shpreh se kjo mund të ndodhë nëse Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që do të zhvillohen më 23 prill të komunat veriore në Kosovës, shkruan Danas. “Ata e interpretuan daljen e serbëve nga institucionet si një shans për të treguar se shteti i Kosovës funksionon sipas ligjeve sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Por ndodhi. Dhe këtu kemi problem Nëse mbahen këto zgjedhje pa Listën Serbe, është reale që të pritet rikthimi i barrikadave në Veri”, theksoi ai. Lista Serbe nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje në katër komuna në veri, ku jeton popullata shumicë serbe, në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan. Sipas Janjiçit, kjo është përgjigja e Listës Serbe dhe e Beogradit për faktin se nuk është plotësuar kushti për kthimin e serbëve në institucione. Pra ditët në vijim priten shumë të nxehta mes Serbisë dhe Kosovës. Por nga ana tjetër ndërkombëtarët janë aty për të parandaluar çdo skenar destabilizues.