MENU
klinika

Kryeministri premton transparencë

Tragjedia greke/ Do të shtyhen zgjedhjet?

10.03.2023 - 13:28

Në mbledhjen e parë të kabinetit pas aksidentit tragjik të 28 shkurtit ku humbën jetën 57 qytetarë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke kërkuar sërish falje është zotuar për “transparencë absolute” në hetimin dhe zbardhjen e shkaqeve që e shkaktuan.

“Mendimet tona janë, para së gjithash, me familjet e viktimave, prandaj publikisht kërkoj edhe njëherë falje në emër të të gjithë atyre që kanë udhëhequr vendin prej vitesh, por mbi të gjitha personalisht. Prandaj rrjedhimisht marr vetë përgjegjësinë. Dhe ne nuk mundemi, nuk duam, nuk duhet të fshihemi pas një sërë gabimesh njerëzore“- u shpreh kryeministri grek.

Jemi të gjithë përgjegjës për këtë dhe duhet të jemi mjaft të guximshëm për ta pranuar ka thënë Mitsotakis duke premtuar veprime të menjëhershme për përmirësimin e situatës problematike në hekurudha dhe prëfundimin e instalimeve të sistemeve të sigurisë

“Nuk mund ta kthej kohën pas, por mund t’u garantoj të gjithë grekëve dy gjëra të thjeshta: Së pari, transparencë absolute në hetim, në mënyrë që gabimet të identifikohen dhe të gjykohen me drejtësi personat e përfshirë. Dhe së dyti, nisja e nismave të drejtpërdrejta për përmirësimin e situatës problematike. në hekurudhat tona, për sa i përket teknologjisë dhe menaxhimit të burimeve njerëzore.”– shtoi Mitsotakis.

Me zemërimin që është kulmuar në protestat më të fuqishme pas atyre të krizës së borxhit në vitet 2011-2012, me zëra edhe për dorëheqjen e qeverisë, kryeministri grek dhe politikanë të tjerë kanë pezulluar fushatën për zgjedhjet e ardhshme pas tragjedisë në luginën e Tembit dhe tashmë ka zëra se zgjedhjet, që priteshin në fillim të prillit, mund të shtyhen edhe disa javë të tjera.

Një ceremoni përkujtimore për viktimat me lule e qirnij është zhvilluar në vendin e aksidentit pasditen e së enjtes.

Ndërkohë prokuroria greke ka ndjekur penalisht edhe 3 nënpunës të tjerë të operatorit hekurudhor, pas përgjegjësit të stacionit, i cili akuzohet se i drejtoi të dy trenat në të njëjtët binarë. Dy prej tyre që duhet të ishin në stacion në momentin e aksidentit janë larguar nga vendi i punës para kohe, ndërsa mbikëqyrësi i tyre ,përgjegjës për turnet, hetohet se përse ka vendosur një drejtues stacioni pa përvojë në turnin e ngarkuar të mbrëmjes.