MENU
klinika

"Është lehtësisht e përballueshme!"

Transport publik falas, Këlliçi sqaron deklaratën e bujshme: Do ble autobusë të rinj

30.03.2023 - 10:09

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka mbrojtur premtimin e tij se do të mundësojë transport falas për banorët e kryeqytetit. Në emisionin “Now”, Belind Këlliçi u shpreh se nuk bëhet fjalë për transport publik falas, por heqja e një pagese të dytë dhe do të ndryshojë vetëm destinacioni i fondeve.

Sipas Këlliçit, shuma që shpenzohet nga qytetarët e Tiranës për transportin publik është vetëm 6,8 për qind e buxhetit bashkisë dhe lehtësisht e përballueshme.

“Pas konsultave me shoqatat e transportit publik kam marrë të dhëna se ky shërbim përdoret nga 200 mijë qytetarë në ditë, një pjesë e të cilëve subvencionohet dhe nga të cilët mbeten 140 mijë bileta që i kushtojnë qytetarëve 56 mln lekë të vjetra në ditë, ose 1,5 mln euro në muaj, ose 18 mln në vit. Buxheti i bashkisë është 240 mln euro, këto do jenë 6,8 për qind e buxhetit,”- tha Këlliçi.

Lidhur me premtimin e tij, Këlliçi u shpreh se kjo është e realizueshme.

“Do ulet rrafiku në qytet, ulet ndotja e ajrit. Patjetër që po. Ka vende plot që e bëjnë. Janë 250 qytete që e bëjnë në të gjithë botën, e ofrojnë këtë shërbim pjesërisht apo plotësisht. Është Talini, kryeqyteti i Estonisë, është Luksemburgu, është Malta. Është Greqia, ka një zonë të caktuar në Athinë që ofrohet me rreth 70 mijë banorë. Është një praktikë që nuk po shpiket për herë të parë,”- theksoi ai.