MENU
klinika

Po deformohet struktura...

Tregu i pagave penalizon shtresën e mesme!

11.03.2023 - 13:38

Më 1 prill, hyn në fuqi vendimi për rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë aktualisht. Rritja e menjëhershme me 17.6% është më e larta së paku që nga viti 2006, por më shumë se sa një instrument në prag fushate, vendimi po diktohet nga zhvillimet në tregun e punës. Emergjenca për punonjës po ushtron presion për rritjen artificiale të pagave, në kushtet kur modeli ekonomik nuk po orientohet nga produktiviteti.

Bizneset në të gjithë sektorët, në përpjekje për të mbajtur stafet, po aplikojnë rritjen e pagave si mundësia e fundit për të shmangur falimentin. Katër vite më parë, gati 45% e të punësuarve paguheshin deri në pagën minimale.

Vitin e kaluar, në tremujorin e tretë të vitit, kjo kategori zuri vetëm 15% të totalit të të punësuarve, sipas raportimit të INSTAT. Brenda një viti, përqindja e punonjësve me pagë minimale u përgjysmua, teksa u pa një rritje e kategorive të punonjësve me paga më të larta.

Vitet e mëparshme, vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale pritej me debat, për shkak të kostove që krijonte te bizneset. Si një ekonomi që e ka të bazuar modelin te krahu i lirë i punës, pagat e ulëta vazhdojnë të jenë në themel të konkurrueshmërisë, por tani kur forca e punës po emigron, pikërisht prej pagave të ulëta, leva e pagave duhet të lëvizë në marshe më të shpejta.

Bizneset në sektorët kryesorë të ekonomisë pohuan se vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale është i drejtë, madje sugjeruan nivele më të larta.

Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, tha se është koha që paga minimale në Shqipëri të jetë 500 euro, por ndërkohë, qeveria duhet të rrisë përpjekjet për të orientuar ekonominë drejt sektorëve me fitime më të larta. Ai tha se tashmë ka një konkurrencë të brendshme në tregun e punës, ku sektorët me vlerë më të lartë të punës po tërheqin punonjës nga sektorë me vlerë të ulët.

P.sh., industria automotive po furnizohet me punonjës nga fabrikat e fasonit, për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagave. Sektorët e agropërpunimit po tërheqin më shumë punonjës nga bujqësia, marketingu dixhital dhe IT po tërheqin punonjës nga call center.

Kjo po ndodh në kushtet e rritjes së kërkesës nga jashtë për punë dhe shërbime në Shqipëri, ndërkohë që popullsia vendase, sidomos në grupet e reja, po tkurret me shpejtësi.

Enri Jahaj, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, tha se, ka shumë arsye pse pagat duhen të rriten dhe kjo është e drejtë, pasi minimumi jetik po vjen në rritje prej çmimeve të larta, por në sektorin e bareve dhe restoranteve, paga minimale 40,000 mijë lekë do të falimentojë një seri biznesesh në qarqet e vendit, ku çmimet dhe fuqia blerëse është shumë e ulët.

Një bar në Rrëshen apo në Gramsh e ofron ende një kafe 50 lekë, ndërsa një i tillë në Tiranë e shet të paktën 30-40% më shumë.

Ekonomistët pohojnë se në njësitë e biznesit që nuk kanë aftësi të rrisin pagën minimale, do të shtojnë informalitetin. Rritjet e shpeshta të pagave minimale, pa politika zhvillimi, do të sjellin vështirësi në pagesa dhe recesion për biznesin e vogël e të mesëm, thotë kontabilisti Ahmet Gjinishi.

Me këto rritje, në afatshkurtër, vërtet do të krijohet një frymë lehtësuese për punëmarrësit, por nga ana tjetër, rreziku se mund të mbyllen vendet e punës dhe bizneset të falimentojnë do të rritet. Ai tha se rritja e pagave nuk mund të bëhet me vendime të qeverisë, me politika makroekonomike, që të krijonte mundësitë që rritja të jetë e natyrshme.

Po deformohet struktura e pagave, profesionistët të dekurajuar

Në vitin 2017, paga minimale bruto në vendin tonë ishte sa 47% e pagës mesatare bruto. Aktualisht, raporti është 55.2% dhe me rritjen e pagës minimale në 40 mijë, arrin afërsisht 60% të pagës mesatare bruto.

Hendeku ndërmjet pagës minimale dhe asaj mesatare në vend sa vjen e ngushtohet, ndërkohë që në vendet e zhvilluara, kryesisht në Europë, paga minimale është afërsisht sa 40-45% e pagës mesatare bruto. P.sh., në Gjermani, paga minimale ishte 1730 euro në vitin 2022, ndërsa paga mesatare, 4168 euro. Në Shqipëri, në të njëjtin vit, paga minimale ishte 340 mijë lekë dhe paga mesatare, 61,613 lekë.

Nga viti 2019 deri më 2022, paga minimale në vend është rritur me ritme dy herë më të larta se paga mesatare. Gjatë këtij harku kohor, paga minimale, nga 26 mijë lekë arriti në 34 mijë lekë, me rritje mbi 30%.

Në të njëjtën periudhë krahasimi, paga mesatare u rrit me vetëm 15%. Ekspertët e ekonomisë pohojnë se rritja e pagave minimale me ritme më të larta se paga mesatare po deformon strukturën e pagave dhe po mban në vendnumëro pagat e profesionistëve, të cilat janë prekur njësoj nga inflacioni. Kjo do të jetë më e ndjeshme për sektorin shtetëror, ku pagat e shoferëve dhe pastruesve gati barazohen me pagat e nëpunësve.

Drejtues të Enteve Publike janë të shqetësuar se, kjo mund të bëhet shkak për humbjen e konkurrueshmërisë në sektorin shtetëror, në një kohë që sektori privat po bëhet më joshës. Sektori publik, dikur i lakmuar për shkak të pagave më të larta dhe komoditetit, tani nuk është më i tillë. Njësoj si sektori privat, edhe ai publik po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore në disa sektorë të mbrojtjes, shëndetësisë dhe disa profesione specifike.

Presionet për rritjen e pagave në nivele të ulëta po dëmtojnë strukturën e pagave, pasi ritmet e rritjes nuk po aplikohen njësoj për shtresën e mesme dhe profesionistët që kanë paga bruto mbi 60-70 mijë lekë.

Aktualisht, oferta e bizneseve për punë është e përqendruar për aftësi të ulëta, duke e ngushtuar gjithnjë e më shumë diferencën ndërmjet pagës minimale dhe asaj mesatare.
Erald Pashaj, ekspert i burimeve njerëzore, shpjegoi se edhe në vitin 2023, kërkesa për punë do të jetë më e lartë për profile të ulëta, por do të ketë hapësira edhe për profesionistët.

Gjithsesi, ai parashikon se ritmet e rritjes do të jenë më të larta për pagat më të ulëta me rreth 20% në vitin aktual, ndërsa paga mesatare do të rritet rreth 10%.

Kontabilisti Ahmet Gjinishi thotë se me propozimet e vazhdueshme të rritjes së nivelit të pagës minimale, shteti kërkon të shkarkojë përgjegjësi mbi sektorin privat, ku ky i fundit, jo vetëm të përballojë shpenzimet e punëmarrësve, por t’i paguajë shtetit edhe gati 28% sigurime shoqërore e shëndetësore.

Sipas tij, shteti si rregullator, duhet ta orientojë ekonominë drejt një modeli që prodhon paga më të larta, në mënyrë natyrale dhe jo artificiale.

Si po i rrit pagat konkurrenca mes sektorëve

Vështirësitë në tregun e punës po rrisin konkurrencën për punonjës ndërmjet sektorëve, tha eksperti i burimeve njerëzore, Erald Pashaj. Këtë vit, sektori që pritet të ketë kërkesën më të lartë të drejtpërdrejtë është turizmi, i ndjekur nga ndërtimi dhe të gjithë nënindustritë që lidhen me to.

Pra kërkesa e lartë e drejtpërdrejtë për punonjës në turizëm do të përkthehet edhe në kërkesë për punonjës në industrinë ushqimore apo në shitje dhe shpërndarje HORECA deri te kërkesa për shoferë dhe shoqërues për transport, pra zinxhiri ofertës për punë do të jetë shumë më i gjerë.

E njëjta situatë do të jetë dhe në ndërtim, ku kërkesa për punonjës të drejtpërdrejtë që nga arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, e specialit dhe deri tk punonjës kantieri do të ndiqet nga kërkesa për shitës të materialeve të ndërtimit, apo të gjithë sektorëve që mobilojnë apo pajisin banesat apo ambientet tregtare.

Ai tha se efekti nuk do të ndalet vetëm te këta sektorë, sepse oferta e punësimit është e agreguar. Kjo do të thotë që nëse dikush punon në një fasoneri dhe paguhet 40,000 lekë neto në muaj, nuk do t’i interesojë që të punojë në fasoneri, nëse një hotel do t’i ofrojë punë në kuzhinë, si ndihmesë dhe do ta paguajë 70,000 lekë.

Në këtë mënyrë i gjithë tregu i punës do të ketë kërkesë dhe kjo do të çojë edhe në 2023 në një rritje pagash nga 8% në 20% rritje. Rritjet më të larta do të jenë për punët që sot paguhen më pak, sepse baza e tyre është e ulet dhe rritje më të vogël do të kenë punët e kualifikuara.

Vitin që vjen, pritet që mundësitë për të punuar do të jenë të mëdha për të gjitha profilet e punës, ndërkohë që mundësi më të mëdha do të ofrohen për punonjës që kanë aftësi ose profesione elementare. Gjithashtu pagat dhe stimujt të tjerë motivues po zhvillohen nga të gjitha bizneset në mënyrë që të stimulojnë punonjësit.

Selami Xhepa, një nga ekonomistët më të njohur në vend, analizoi se në mënyrë konstante, në këto 30 vitet e fundit, investimet e biznesit në kapitalin njerëzor kanë qenë problematike.

Tregu i punës nuk përmbush asnjë nga tre kriteret kryesore, rritje e të ardhurave për punonjësit, siguria në punë, një komponent i rëndësishëm i tregut të punës, nuk ekziston. Në Shqipëri nuk janë kushtet për vetërealizim. Dhe tregu i punës nuk ka krijuar një sistem që të ofrojë karrierë profesionale, tha ai.

Presionet nga tregu i punës, po ndryshojnë strukturën e pagave

Mungesa e fuqisë punëtore është shndërruar në shqetësimin kryesor të sektorit privat në të gjitha linjat e biznesit, por edhe për sektorin publik, të tilla si ushtria, policia, shëndetësia etj.

Këto zhvillime po ushtrojnë presion mbi pagat. Në tremujorin e tretë të vitit 2022, përqindja e punonjësve që paguheshin me pagë minimale ndaj totalit të të punësuarve u përgjysmua.
INSTAT raportoi se në korrik-shtator 2022, nga totali i të punësuarve me sigurime, vetëm 15.8% paguheshin deri në pagën minimale, teksa në të njëjtën periudhë të vitit 2021, kjo kategori zinte 33% të të punësuarve.

Pesha e punonjësve me pagë minimale shënoi rënie të dukshme që kur nisën të raportoheshin të dhënat në vitin 2014, kur gati 36% e atyre që paguanin sigurime, paguheshin deri në pagën minimale.
Të gjendur në vështirësi për punonjës, shumë biznese në sektorin e turizmit dhe bujqësisë që ishin në kulmin e aktivitetit në tremujorin e tretë 2022 aplikuan rritje page për të tërhequr forcën e punës që u nevojitej.

INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, paga mesatare bruto për aktivitetin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe vjetore prej 15,7%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 5%.
Paga minimale në shkallë vendi, aktualisht është 34,000 lekë, teksa qeveria ka lajmëruar rritjen e saj në 36,000 lekë.

Struktura e punësimit në favor të pagave të larta po rritet. INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë të vitit 2022, rritjen më të lartë në totalin e punësimit e kishte kategoria e punonjësve që paguhej në intervalin 34,000-40,000 lekë në muaj, e cila zuri 26.7% të totalit të të punësuarve nga 16.1% në tremujorin e tretë të vitit 2021.

Rritje shënuan edhe kategoritë e tjera më paga më të larta. Kategoria e punonjësve me pagë 40,000-50,000 lekë u rrit me 2.5%, ndërsa kategoria 50,000-60,000 lekë në muaj nuk pësoi ndryshim gjatë periudhës në analizë.

Punonjësit me paga nga 60,000 – 95,000 është kategoria e dytë me peshën më të lartë në totalin e të punësimit. Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, 24.7% e të punësuarve ishin në këtë nivel page, një vit më parë, ata zinin 22.4%.

Rritje të peshës me 1.2 pikë përqindje pësoi edhe grupi i pagave më të larta mbi 120 mijë lekë në muaj. Kjo kategori zuri 6.4% të totalit të të punësuarve nga 5.2% në tremujorin e tretë./MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dixhitalizimi dhe mënyrat e reja të punës, çfarë shkoi keq?

“The Economist”: Bumi i munguar i inovacionit pandemik

Inflacioni amerikan, kriza energjetike e Evropës dhe politika e Kinës

“The Economist”: Lajme të mira nga të tre frontet!


BSH: Të huajt blenë prona, në Tiranë e bregdet

Rriten qiratë, apartamentet shiten më lirë!

Të gjitha valutat e huaja në rënie!

Euro prek vlerën më të ulët për muajin prill!

Kryesindikalisti: Ka burokraci, u dogjën fondet!

Flota e peshkimit në Durrës, në krizë ekonomike!

Deri në mars janë regjistruar 716 mijë autovetura

1 në 4 persona ka një makinë në Shqipëri!