Dita e Fitores ka qenë gjithmonë një festë e madhe në Rusi.
Ajo shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, një konflikt gjatë të cilit humbën jetën më shumë se 8 milionë ushtarë sovjetikë.
Mirëpo, këtë vit duket se do të jetë ndryshe, pasi Kremlini është i shqetësuar për mundësinë e një sulmi me dron gjatë paradës vjetore, sipas një mediaje ukrainase. Pretendimet vijnë pasi autoritetet ruse njoftuan se Sheshi i Kuq do të mbyllej për dy javë përpara paradës. Ky do të jetë kufizimi më i gjatë ndonjëherë në këtë zonë, siç raporton“The Moscow Times”.
Përpara paradës së Ditës së Fitores të vitit të kaluar, e para që nga pushtimi i Putinit në Ukrainë, Sheshi i Kuq u mbyll nga 4 maji. Por çfarë do të ndodhte në rast se një mjet ajror pa pilot (UAV) zbulohet në territorin e sheshit të paradës? Siç shkruan media ukrainase, një operator radio do ta raportonte atë tek shefi i një kolone të mekanizuar dhe do të “kërkonte leje për ta shtypur atë”.
Agjencia kryesore e sigurisë ruse, FSB, do të informohej, shkruhet në artikull. Po ashtu, specifikohet se Kremlini është “seriozisht i frikësuar” nga kërcënimi i paraqitur nga dronët ukrainas.
Një zyrtar ukrainas ndau një video nga Sheshi i Kuq të Moskës të hënën dhe paralajmëroi se diçka mund të ndodhë në 9 maj. “Droni ukrainas fluturon me qetësi mbi Moskë.
Fishekzjarrë të planifikuara për 9 majin?”, shkroi Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrit të punëve të brendshme të Ukrainës.
Ngjarjet e 9 majit mbahen në të gjithë Rusinë për të promovuar patriotizmin dhe për të nxitur mbështetjen për forcat e armatosura të Rusisë, por vendi ka qenë në gatishmëri pas bombardimeve ndërkufitare.