MENU
klinika

The Economist

A po bëhen më pak globale kompanitë perëndimore?

08.04.2023 - 09:32

Dymbëdhjetë muaj më parë, Rusia iu bashkua listës së turpshme të shteteve (krahas Koresë së Veriut dhe Kubës), ku konsumatorët nuk kanë mundësi të shijojnë një pije Coca-Cola.

Gjiganti amerikan i pijeve, ndërpreu operacionet në Rusi, pas pushtimit të Ukrainës. Tridhjetë vite më parë, kur Coca-Cola u zgjerua në Rusi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, barrierat ndaj tregtisë globale po binin me shpejtësi. Sot, ato po rindërtohen dhe jo vetëm rreth Rusisë.

Thuhet se Departamenti Amerikan i Thesarit po punon për hartimin e planeve për të ndaluar investimet e jashtme në teknologjitë më të përparuara, në shtetet kundërshtare. Ai tashmë ka ndaluar shitjen e mikroprocesorëve të avancuar dhe pajisjeve për prodhimin e çipave në Kinë. Tregtia kino-amerikane mund të mbyllet plotësisht nëse Kina imiton armiqësinë ruse në marrëdhëniet e saj me fqinjin e lakmuar, Tajvanin.

Në të njëjtën kohë, Amerika po ofron subvencione me vlerë gjysmë trilion dollarë, me synimin për të sjellë në vend zinxhirët e furnizimit për gjysmëpërçuesit, makinat elektrike dhe energjinë e pastër. Bashkimi Europian pritet të zbulojë së shpejti një paketë të ngjashme ofertash tërheqëse.

Veprimtaria si kompani shumëkombëshe ka përfshirë gjithmonë vështirësi, nga bashkërendimi midis zonave kohore, e deri te përshtatja me një sërë regjimesh rregullatore. Tendosjet e fundit në tregtinë e globalizuar, të shkaktuara nga tensionet gjeopolitike dhe proteksionizmi në rritje, ngrenë pyetje të ndërlikuara për gjigantët perëndimorë të korporatave, që kanë qenë prej kohësh ndër përfituesit më të mëdhenj të globalizimit.

Përgjigjet e tyre fillestare ndaj kësaj prirjeje të re skicojnë konturet e një korporate shumëkombëshe perëndimore në shekullin XX. Një korporatë e tillë tipike, është më pak e varur nga Kina dhe më e varur nga asetet jomateriale, si softueri dhe patentat. Por në përgjithësi, ajo nuk është më pak globale.

Kompanitë perëndimore filluan të përhapen nëpër botë në vitet 1600, kur shtëpitë tregtare koloniale të Europës u përhapën (shpesh me dhunë) jashtë kontinentit të vjetër, në kërkim të mundësive tregtare. Nga fillimi i shekullit XX, stoku global i Investimeve të Huaja Direkte (IHD), një tregues i mbizotërimit të bizneseve shumëkombëshe, arrinte në rreth 10% të PBB-së botërore.

Me kalimin e kohës, tregtia më e lirë, kostot më të ulëta të transportit dhe teknologjia më e mirë e komunikimit, i lejuan korporatat të bëheshin më të vërtetë globale. Ato hapën dyqane kudo nëpër botë ku mund të gjenin fuqi punëtore më të lirë, taksa më të ulëta ose klientë të rinj.

Në fillim të viteve 2010, stoku botëror i Investimeve të Huaja Direkte, arriti në ekuivalentin e 30% të prodhimit global. Bizneset perëndimore përbënin 78% të totalit. Një kompani shumëkombëshe mesatare amerikane kishte një duzinë filialesh të huaja.

Në dekadën e fundit, gjërat filluan të ndryshojnë. Kompanitë amerikane dhe europiane nisën të humbnin një pjesë të rrymës së huaj. Bankat e goditura nga kriza financiare globale e viteve 2007-‘09 dhe kriza e borxhit në Eurozonë, pakësuan bizneset e huaja.

Dhe konkurrentët e rinj, veçanërisht nga Kina, nisën të sfidojnë firmat perëndimore. Për shembull, katër nga pesë markat më të mëdha të celularëve smartphone në Indi, tani janë kineze. Vitin e kaluar, Kina ia kaloi Gjermanisë si eksportuesi i dytë më i madh i makinave në botë, pas Japonisë.

Që nga viti 2010, shitjet e huaja të kompanive të listuara amerikane dhe europiane, janë rritur me 2% në bazë vjetore, nga 8% në vitet 2000 dhe 10% në vitet 1990 (shih grafikun 1). Kompanitë shumëkombëshe kanë shtuar më pak fabrika të huaja në stokun e Investimeve të Huaja Direkte.

Flukset vjetore të investimeve të huaja amerikane dhe europiane (duke përjashtuar fitimet e riinvestuara) ranë nga kulmi prej 659 miliardë dollarësh në vitin 2015, në 216 miliardë dollarë në vitin 2021, sipas Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, përpara se Covid-19 t’i shuante ato pothuajse plotësisht në vitin 2020.

Midis viteve 2010 dhe 2021, pjesa e Perëndimit në stokun e Investimeve të Huaja Direkte në mbarë botën, ra nga 78% në 71%. Një kompani tipike shumëkombëshe amerikane, tani ka vetëm nëntë filiale të huaja.

Politikanët në të dyja anët e Atlantikut e përshëndesin këtë prirje. Ata po flasin për një rilindje të prodhimit vendas dhe po përpiqen gjithnjë e më shumë të pengojnë rritjen e Kinës, njëherë e një kohë fabrika dhe tashmë armiku i Perëndimit.

Në janar, shpenzimet mujore për ndërtimin e fabrikave në Amerikë, arritën në 10.9 miliardë dollarë, 55% më shumë se një vit më parë. BE-ja shpreson se subvencionet e saj të reja do të kenë efekt të ngjashëm.

Amerika dhe Europa po ftohen ndaj Kinës, jo vetëm si prodhues, por edhe si treg për mallrat e tyre. Sipas të dhënave të BEA-s, vlera e fabrikave dhe pajisjeve të kompanive shumëkombëshe amerikane në Kinë, arriti kulmin në vitin 2018.

Politikanët perëndimorë mund të pretendojnë se kanë meritën për këtë ndryshim, por një arsye më e madhe mund të jetë puna më e shtrenjtë kineze. Që nga viti 2010, pagat e prodhimit në Kinë janë katërfishuar, nga 2 dollarë në orë, në mbi 8 dollarë në terma nominalë. Për sa i përket tregut kinez, ai mbetet i rëndësishëm për disa sektorë. Për shembull, kompanitë perëndimore gjysmëpërçuese, nxjerrin rreth 30% të shitjeve nga Kina. Por prodhimi i çipave përbën vetëm 400 miliardë dollarë, nga 12 trilionë dollarë shitje të krijuara jashtë vendit nga kompanitë perëndimore të listuara (shih grafikun 2).

Po të vërejmë të gjitha industritë, do të shohim se Kina është përgjegjëse për më pak se një të tetën e të ardhurave të huaja të firmave perëndimore, sipas Bankës së investimeve, Morgan Stanley, një pjesë shumë më e vogël se shitjet amerikane dhe europiane përtej Atlantikut (shih grafikun 3).

Vetëm 8% e të ardhurave totale të kompanive europiane vijnë nga Kina. Për homologët e tyre amerikanë, kjo shifër është 4%. Sipas shifrave të BEA-s, shitjet e kompanive shumëkombëshe amerikane në Kinë mbetën të pandryshuara midis viteve 2017 dhe 2020. Në Indi, ato u rritën me 6% në vit, në të njëjtën periudhë.

Pra, kompanitë shumëkombëshe perëndimore, po bëhen disi më pak kineze. Megjithatë, do të ishte gabim të dilej në përfundimin se ato po kthehen drejt e në atdhe. Arend Kapteyn nga Banka UBS, vëren se “largimi” i prodhimit nga Kina, është kryesisht i kufizuar në një grup të ngushtë sektorësh të favorizuar. Prodhimi i përgjithshëm i manifakturës mbetet nën nivelin përpara krizës financiare në Amerikë dhe afërsisht i pandryshuar në Europë, pas përshtatjes me inflacionin.

Në të vërtetë, bizneset perëndimore nuk duket se janë aspak të lodhura me botën. Kompanitë amerikane mund të kenë mesatarisht një çerek më pak filiale të huaja sesa një dekadë më parë, por rënia u kompensua nga rritja e numrit të kompanive me prani jashtë vendit.

Ky numër u rrit nga 2,300 në vitin 2010, në mbi 4,600 në vitin 2020, tregojnë të dhënat nga BEA. Më 13 mars, u raportua se zinxhiri amerikan i ushqimit të shpejtë Chick-fil-a, planifikon të shpenzojë 1 miliard dollarë për zgjerimin në Azi dhe Europë.

Kompanitë më të mëdha kanë një prani të madhe të huaj. Prodhuesi i makinave, General Motors, me seli në Detroit, ende krenohet me më shumë se 100 filiale të huaja. Ndërkohë, Coca-Cola vazhdon të shuajë etjen në më shumë se 200 shtete dhe territore.

Biznesi perëndimor nuk po heq dorë as nga prodhimi i huaj. Kompanitë Apple dhe Adidas po sigurojnë gjithnjë e më shumë celularë iPhone dhe atlete nga vende gjeopolitikisht miqësore si India dhe Vietnami, ku pagat janë afërsisht sa një e treta e atyre në Kinë.

Këtë muaj, Elon Musk njoftoi se Tesla do të ndërtonte një fabrikë të re në Monterrey, Meksikë, një tjetër shtet me paga të ulëta dhe për më tepër, një vend fqinj në kufi me Teksasin, ku ndodhet selia e kompanisë Tesla.

Kanoçet Coca-Cola në të gjithë botën

Këto kompani globale po kërkojnë më tepër se sa punë fizike të lirë. Falë përparimit teknologjik, asetet më produktive të shumë firmave, tani nuk janë më impiantet dhe pajisjet fizike, por pjesët e paprekshme si programet kompjuterike dhe patentat.

Kjo rrit kthimet nga investimi në talente, veçanërisht në vendet ku një fuqi punëtore e arsimuar, ka paga më të ulëta se në Perëndim. Teknologjitë si interneti më i shpejtë, komunikimet online me video dhe rrjetet kompjuterike cloud, e bëjnë këtë grup talentesh më të lehtë se kurrë për t’u përdorur.

Richard Baldwin, nga Instituti i Gjenevës, parashikon se shpërndarja e vendeve të punës që kërkojnë punë mendore jo fizike, do të formojë bazën e një vale të re globalizimi, të ngjashme me shpërndarjen e manifakturës në dekadat e mëparshme.

Kompanitë shumëkombëshe tashmë kanë nisur të mendojnë më gjerësisht se cilat detyra mund të kryhen jashtë vendit, vëren Jimit Arora nga firma e konsulencës Everest Group. Shpenzimet e kompanive shumëkombëshe amerikane për kërkim dhe zhvillim në vendet me kosto të ulët, u dyfishuan midis viteve 2010 dhe 2020 (shih grafikun 4).

Nëntorin e kaluar, prodhuesi i avionëve, Boeing, njoftoi se do të ndërtonte një objekt kërkimi dhe zhvillimi prej 200 milionë dollarësh në qytetin indian Bangalore, ndërtimi i tij më i madh jashtë Amerikës. Gjigantët amerikanë të teknologjisë si Alphabet, Amazon dhe Microsoft kanë hapur gjithashtu qendra kërkimi dhe zhvillimi në qytet. Kështu ka bërë edhe Walmart, zinxhiri më i fuqishëm i supermarketeve në Amerikë dhe Rolls-Royce, prodhues britanik i motorëve të avionëve.

Rëndësia e aseteve të paprekshme, do të rritet ndërkohë që bizneset në të gjithë ekonominë, po rimodelojnë veten për epokën dixhitale. Gjiganti industrial gjerman, Siemens, tashmë e quan veten një “kompani teknologjike” e fokusuar në simulimet dixhitale, analitikën e të dhënave etj.

Walmart tani punëson rreth 25,000 specialistë të teknologjisë, e barabartë me fuqinë totale punëtore të Pinterest, Snap, Spotify dhe Zoom, katër platforma të mirënjohura në fushën e teknologjisë.

Për shkak se softueri është i shtrenjtë për t’u ndërtuar, por i lirë për t’u riprodhuar, firmat e mëdha që mund të shpërndajnë në vende të ndryshme kostot fikse të zhvillimit, gëzojnë përparësi konkurruese gjithnjë e më të madhe.

Midis viteve 1990 dhe 2021, kthimi mesatar i kapitalit të kompanive të listuara amerikane dhe europiane me më pak se 1 miliard dollarë në shitje, ra nga 8% në 4%. Kjo shifër për firmat me të ardhura prej 10 miliardë dollarësh ose më shumë, u rrit nga 12% në 18% (shih grafikun 5).

Dhe të qenët më e madhe, është gjë më e lehtë nëse je kompani ndërkombëtare. Në vitin 2021, kompanitë e listuara amerikane dhe europiane me 10 miliardë dollarë ose më shumë të ardhura, gjeneruan mesatarisht 43% të shitjeve jashtë vendit, krahasuar me vetëm 32% për firmat me shitje nën vlerën 1 miliard dollarë.

Me pak fjalë, shtrirja globale është më e rëndësishme se kurrë. Ndërkohë që rivalët ambiciozë të tregjeve në zhvillim po i vijnë nga mbrapa, tërheqja nuk është një mundësi për kampionët e korporatave në Perëndim./MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do na ndjekin për një kohë të gjatë...

Analiza/ Pesë ndryshimet që po sjell pandemia e Covid-19