Prej orës 8 të mëngjesit, Aishe Haklaj dëshmoi në SPAK për kallëzimin që ka bërë për Sali Berishën dhe 14 persona të tjerë që sipas saj kanë marrë pjesë në ekzekutimin e katër vëllezërve të saj. Haklaj ka dhënë dëshmi për rreth 12 orë në SPAK. Në një moment ajo ka zbritur në katin e parë për të marrë celularin, pasi ka disa prova që ia ka dorëzuar oficerëve të policisë gjyqësore.
Pas më shumë se 12 orësh në SPAK, motra e Haklajve, Aisha Haklaj tha se familja e saj ka ende besim në SPAK.
“Me gjithë respektin e madh për mediat që keni kryer detyrën tuaj dhe keni qenë pushteti i vetëm të cilët kemi mundur t’i drejtohemi deri tani. Besimi ynë është ende në SPAK dhe GJKKO. Nuk mund të them më shumë sepse edhe sekretet edhe gjithçka duhet të ruhet. Ne kemi këtu njeriun e besuar të familjes, avokatin Idajet Beqiri që ndoshta do t’ju japë më shumë”, tha Aisha.