Braktisjet në grupin e vulës duket se nuk kanë të ndalur, pasi sot Enkelejd Alibeaj ka humbur kandidatët e Këshillit Bashkiak në Vaun e Dejës.
Në një deklaratë zyrtare ata kanë shprehur hapur mbështetjen ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zef Hilës.
Ndër të tjera, kandidatët për Këshillin Bashkiak u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Vaut të Dejës që të mbështesin për zgjedhjet e 14 majit Zef Hilën.
Më tej në deklaratën e tyre theksohet se ata do të distancohen nga çdo kandidaturë personale, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së.
DEKLARATË E KANDIDATËVE TË PARTISË DEMOKRATIKE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË BASHKISË VAU I DEJËS
Ne, kandidatët për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau i Dejës, duke falënderuar Kryesinë e Degës dhe strukturat e PD-së, dega Vau i Dejës, për besimin dhe mbështetjen, shprehim qëndrimin tonë lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023:
Ad
Ne sot, me anë të kësaj deklarate shprehim hapur mbështetjen tonë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” z. Zef Hila.
Ne distancohemi nga çdo kandidaturë personale e kujtdo qoftë ajo, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së, për sa kohë kjo kandidaturë është nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të Bashkisë së Vau të Dejës.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të Bashkisë së Vaut të Dejës, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Z. Zef Hila është ish-kryebashkiaku ynë, është deputeti ynë, është njeriu më i votuar dhe më i mbështetur i kësaj zone, dhe po ashtu edhe në listën tonë për këshilltarë bashkiakë janë përfshirë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë e me integritet, me kontribute për komunitetin tonë, e të gjithë janë të gatshëm për të punuar me përkushtim dhe me besim, për fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të z. Zef Hilës si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Vaut të Dejës me 14 maj.
Kujtojmë se më herët Alibeaj është brasktisur nga kandidati i Korçës, Gjergji Gjata, kandidati i Krujës, Sabah Sheta, kandidati për Librazhdin, Shefki Cota, kandidati i Lezhës, Sandër Marku.