MENU
klinika

Analiza

Amerika “fundos” Orbanin, për faj të Putinit…

15.04.2023 - 13:44

Të jesh mik i Vladimir Putinit, njeriut që ka trazuar gjithë botën me luftën në Ukrainë, ka kosto. Këtë po e provon në kurriz, Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, i konsideruar shpesh edhe si “qeni besnik” i presidentit rus. Lideri hungarez ka marrë mbase goditjen më të fuqishme ndonjëherë nga Perëndimi, veçanërisht nga Uashingtoni. Amerika po e izolon plotësisht vendin, duke vendosur sanksione ndaj vetë Orbanit, si dhe rrethit të tij të ngushtë. Kongresi i SHBA po përgatit sanksione për njerëzit afër Orbanit, përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe partinë nacionaliste-klienteliste të krahut të djathtë në pushtet Fidesz. Sipas gazetës londineze “The Guardian”, ligji mund të miratohet në fillim të majit dhe duke qenë se është propozuar nga përfaqësues të partive demokratike dhe republikane, besohet se nuk do të ketë asnjë problem me pranimin e tij.

Pro dhe kundër

Kështu, Hungaria u gjend në një pozitë të vështirë, e cila e izolon gjithnjë e më shumë nga BE-ja dhe NATO-ja. Është kulmi i përkeqësimit të marrëdhënieve amerikano-hungareze dhe pozitës gjithnjë e më të izoluar të Hungarisë në BE dhe NATO për shkak të një qëndrimi të ndryshëm në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës.

Hungarian Prime Minister Viktor Orban (C) walks near other representatives during a vote about the government’s bill on the protection against the new coronavirus COVID-19 at the plenary session of the Hungarian Parliament in Budapest, Hungary on March 30, 2020. (Photo by Zoltan MATHE / POOL / AFP) (Photo by ZOLTAN MATHE/POOL/AFP via Getty Images)

Pyetja është nëse edhe Brukseli do të ndjekë propozimin amerikan, duke pasur parasysh se ligjet diskriminuese hungareze për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ kanë shkaktuar tashmë një përçarje në vendet e BE-së. Duhet pranuar se për këtë çështje mund të ketë një përçarje mes përfaqësuesve të Partisë Republikane, sepse mbështetësit e Donald Trump ndoshta do të jenë kundër. Kujtojmë se në ditën kur ish-presidenti amerikan Donald Trump duhej të dilte në gjykatë në Nju Jork, Viktor Orban i dërgoi atij një mesazh mbështetjeje: “Ne jemi me ju Presidenti Trump”.

Sanksionet ndaj Rusisë

Vendosja e sanksioneve për zyrtarët hungarezë nuk është diçka e re sepse, kujtojmë, në vitin 2014, SHBA-të refuzuan të “prisnin” kreun e Administratës Tatimore hungareze për shkak të dyshimeve për korrupsion. Viktor Orban quhet gjithsesi “Trumpi europian”, por edhe “kali i Trojës” i Putinit në BE dhe NATO. Megjithëse Hungaria pranoi dhe vendosi sanksione kundër Rusisë, votoi në OKB për të dënuar agresionin rus, madje, ndryshe nga Kroacia, ajo nuk eksporton armë dhe nuk dëshiron të jetë një vend tranzit për dërgimin e armëve në Ukrainë. Orban gjithashtu tha së fundmi se Hungaria do t’i respektojë sanksionet, megjithëse ai nuk i mbështet ato.

Shantazhi i Orbanit

Viktor Orban ndoshta do t’i përgjigjet sanksioneve duke refuzuar të ratifikojë hyrjen e Suedisë në NATO, gjë që vetëm do ta komplikonte më tej pozicionin e tij. Kujtojmë se Hungaria kërkoi shtyrjen e ratifikimit të pranimit të Suedisë dhe Finlandës, por nuk pati sukses. Hungaria vonoi procesin e pranimit të dy shteteve veriore nga korriku 2022, dhe në shkurt 2023, Orban akuzoi Finlandën dhe Suedinë për përhapjen e “gënjeshtrave për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Hungari”. Në fund, ajo nuk dha dritën jeshile për hyrjen e Suedisë, por ratifikoi hyrjen e Finlandës, edhe pse nën presion.

Banka e kontestuar

Pasi SHBA vendosi sanksione ndaj tre zyrtarëve të Bankës Ndërkombëtare të Investimeve (IIB), një lloj versioni rus i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), rusët Nikolay Kosova dhe Georgi Potapov dhe hungarezja Imra Laszlóczki, u tërhoqën. “Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, ishte e qartë se mundësitë e IIB-së po ngushtoheshin dhe tani që SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj saj, ata në fakt e kanë shkatërruar atë”, tha Orbán. Në Uashington ata e quajnë IIB “klubi i spiunëve rusë”. Siç raportoi RSE e Pragës, Uashingtoni fajësoi Budapestin për injorimin e paralajmërimeve të tyre rreth IIB-së si një “platformë jo transparente e Kremlinit”. Rusia ka 45.44 për qind të aksioneve në bankë dhe Hungaria më shumë se 25 për qind. Republika Çeke dhe Sllovakia tashmë janë larguar nga banka dhe këtë e bëjnë të ditur edhe Bullgaria dhe Rumania. Banka i mbijetoi rënies së BRSS dhe rënies së Murit të Berlinit, por në vitin 2019 e zhvendosi selinë e saj nga Moska në Budapest.