MENU
klinika

Ikën me motoçikletë

Ardian Nikulaj lëvizte me makinë të blinduar, autorët e vranë në resortin e tij

19.04.2023 - 16:22

Ardian Nikulaj, 51 vjeç, është qëlluar për vdekje me armë zjarri mesditën e kësaj të mërkure në Shëngjin. Binzesmeni lezhjan njihej në zonë si person me reputacion dhe kishte ndikim të fortë politik, ndërsa në këto zgjedhje kandidonte për këshillin bashkiak dhe ishte kryetar i PSD në Lezhë.

Ardian Nikulaj ndodhej në biznesin e tij, në resortin “Coral Shëngjin”, kur dy persona të maskuar e kanë qëlluar me armë dhe janë larguar. Plumbat kanë qenë fatal dhe 51 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, edhe përse ambulanca ka shkuar menjëherë në vendngjarje.

Personi që ka shtënë me armë, ka hyrë brenda lokalit me skafandër motori në kokë dhe i veshur me jelek fosforeshent, ka qëlluar dy herë me pistoletë dhe është larguar menjëherë bashkë me personin tjetër.

Shkaqet e vrasjes nuk dihen ende, ndërsa në restorantin ku u vra Ardian Nikulaj ka mbërritur drejtuesi i Policisë së Lezhës, Vehbi Bushati dhe prokurori i gatshëm për hetimin e saj. Po ashtu, në vendngjarje ka shkuar dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.

Drejtoria e Policisë së Lezhës ka rrethuar zonën dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.

“Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”, njoftoi Policia e Lezhës.