René Mäkelä (Rene Mekele) (Majorka, 1977) është bërë një piktor i famshëm mes sportistëve dhe jo vetëm. Punimet e tij, veprat e artit të tij janë tashmë pjesë e dekorit të shtëpive të disa prej yjeve në La Liga.
Mes tyre dy yjet e Madridit, njëri i Realit, Vinicius Zhunior dhe ai i Atletikos, Antuan Grizman. Veç tyre, ai ka pikturuar shtëpitë e yjeve amerikanë si lojtari i futbollit amerikan Sem Njuton apo ylli i bejsbollit Meni Maçado. Por në derën e tij ka trokitur edhe këngëtarja Madona, falë së cilës e ka çuar punën në Malaui. Ai ka lënë gjurmë të rëndësishme edhe në vendlindjen e tij, Majorkë. Një nga muralet e tij ilustron yllin e Majorkës dhe më pas të Barcelonës e Interit, Samuel Eto’o, që dekoron fasadën e stadiumit të këtij qyteti.
NË SHTËPINË E VINICIUSIT E DUKE ËNDËRRUAR PËR “BERNABEUN” – Një mural që zë një nga muret e palestrës së shtëpisë të lojtarit të Realit të Madridit, Vinicius mban pikërisht firmën e piktorit nga Majorka, Rene Mekele. Në të janë përfshirë katër nga yjet më të mëdhenj të sportit të të gjitha kohërave: Majkëll Xhordan (basketboll), Kobi Brajant (basketboll), Ronaldo Nazario (futboll) dhe Pele (futboll). Kur pa pjesën e përfunduar në janar, me përmasa dy metra të lartë dhe shtatë metra të gjerë, Vinicius ishte i kënaqur me punën. Braziliani ka postuar një fotografi në llogarinë e tij në “Instagram”, duke pozuar me artistin spanjoll pranë punës së tij.
“Frymëzuar nga e kaluara. I fokusuar tek e ardhmja”, ka shkruar futbollisti në publikim. “Vinicius donte diçka për ta frymëzuar, për të qenë në gjendje të stërvitej me idhujt e tij”, thotë Mekele. Piktori shpjegon se katër protagonistët e muralit shfaqin poza të zemëruara dhe festive njëkohësisht e që pasqyrojnë “gëzimin e mundit dhe punës së palodhur”. Pak ditë më vonë, Vini trokiti sërish në dyert e piktorit për t’i kërkuar një tjetër punë. Me kërkesë edhe të Kristiano Ronaldos ai dëshironte ta zgjeronte më tej katalogun e yjeve duke shtuar dhe Kristiano Ronaldon, që tashmë gjendet në palestrën e brazilianit.
NË SHTËPINË E YJEVE – Me artin e tij Mekele ka fituar të drejtën për të hyrë në shtëpitë e yjeve të sportit dhe jo vetëm. Ishte prezantuesi televiziv Andreu Buenafuente, të cilin e takoi pasi punoi si skenarist dhe karikaturist për një nga programet e tij, fakt që e katapultoi drejt sukseseve të mëtejshme. “Pika e kthesës”, sipas piktorit, erdhi kur ai ngarkoi në profilin e tij në “Instagram” një pikturë që kishte bërë me modelen dhe aktoren britanike Kara Delvinj. “Rrjetet sociale janë vitrinë e përsosur për një artist”. Falë këtij impulsi dixhital, nisën të vinin porositë e para nga sportistë të njohur ndërkombëtarisht. I pari, ai i futbollistit të Atletikos së Madridit, Antuan Grizman.