Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar ashpër shpërthimin me tritol që ndodhi ditën e sotme ndaj kryetarit të degës së PD në Vaun e Dejës, Bernard Ndrecës. Berisha akuzon Ramën se ka urdhëruar këtë sulm, që sipas tij ka inaguruar çeljen e fushatës elektorale.
FJALA E BERISHËS:
Vau i Dejës dhe mbarë Shqipëria, janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve.
Unë kam biseduar në telefon me Bernardin, me deputetin Zef Hila dhe u shpreh atyre mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë. Gjithashtu, dënoj këtë krim të shëmtuar. Specialistët e tritolit janë të gjithë nën kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundmi zgjodhën atë më ekstremen, por edhe me këtë dështuan.
Duke dënuar edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të narkoshtetit, bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes, Çuçi, pasi policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si një seksion i PS-së.
Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha pistat dhe dyshimet shkojnë se ata janë dorës dhe organizatorë të këtij akti. Unë u bëj thirrje demokratëve të Vaut të Dejës dhe mbarë Shqipërisë të vazhdojmë këtë betejë, se ky akt i sotëm është dëshmi e një përpëlitje të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që ka humbur çdo shpresë dhe nuk ngurron as aktet më ekstreme për të terrorizuar dhe marrë jetë njerëzish. Koha e monizmit merr fund më 14 maj. Qytetarët e Vaut të Dejës do votojnë Zef Hilën dhe Bernard Ndreca do udhëheqë një nga fushatat më të suksesshme në Shqipëri.
Mëngjesin e sotëm, u hodh në erë automjeti i kreut të PD në Vaun e Dejës, Benard Ndrecës. Ai ka mundur të shpëtojë pa lëndime, por e cilëson këtë krim si akt politik.