Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmirësuar qëndrueshmërinë fiskale të sistemit të pensioneve, por ka një raport të ulët mbështetjeje që nënkupton se përqindja e të punësuarve që kontribuojnë në një plan pensioni është e ulët në krahasim me përqindjen e popullsisë së moshuar që përfiton pension, referoi Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik Rajonal të të tremujorit të parë 2023.
Analiza e evidentoi se, pavarësisht se sistemet e pensioneve në Ballkanin Perëndimor thithin shumicën e fondeve për mbrojtjen sociale, atyre iu duhet të luftojnë me qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë financiare. Secili nga vendet e rajonit përballet me kompromise të ndryshme midis qëndrueshmërisë, përshtatshmërisë dhe mbulimit.
Shqipëria ishte një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit 2022, rritja e përgjithshme ishte 4.84 për qind e PBB-së, duke e bërë Shqipërinë ekonominë e dytë me rritjen më të shpejtë në rajon, pas Malit të Zi. Tre vjet pas pandemisë, të gjashtë ekonomitë e rajonit kanë tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë për sa i përket PBB-së, megjithëse me ecuri të ndryshme.
Shqipëria ka shkallën më të lartë të punësimit të te rinjve prej 56.3 për qind mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të gjithë rajonin, shkalla e punësimit të të rinjve 15 vjeç e lart arriti një nivel historik prej 47 për qind në shtator 2022 dhe më pas filloi të bjerë. Rritjet më të mëdha vjetore u regjistruan në Shqipëri dhe Mal të Zi me përkatësisht 2.7 dhe 7.9 për qind.
Ritmi i krijimit të vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor filloi të bjerë gjatë kësaj periudhe kohore, me përjashtim të Shqipërisë. Ndërsa punësimi në vendet e tjera të Ballkanit vazhdoi të tkurret me 1 për qind ose 72 000 vende pune, në Shqipëri trendi vazhdoi rritjen.
Shqipëria ka shkallën më të ulët të papunësisë tek të rinjtë me 21.5 për qind midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shkalla e papunësisë së të rinjve në rajon është dyfishi i normës së përgjithshme, megjithëse ka rënë në 27 për qind—4.8 pikë përqindje nën normën e dhjetorit 2021. Me fjalë të tjera, ka 202,000 të rinj të papunë në Ballkanin Perëndimor – një kontingjent në moshën e tij shumë produktive, ose rreth 36,000 më pak se në vitin 2021.
Sektori i mikpritjes ka rimëkëmbur fuqishëm dhe madje ka tejkaluar nivelet e parapandemisë në Shqipëri.
Të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar përbënin deri në më shumë se 50 për qind të totalit të eksporteve në vend në 2019, përpara COVID-19, gjë që u pasua nga një rënie e madhe e vizitorëve në vend.
Në vitin 2022, turizmi, krahasuar me numrin e netëve të kaluara nga jorezidentët, është rikuperuar plotësisht dhe ka tejkaluar nivelin e vitit 2019 në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Serbi.
Prodhimi industrial dhe bujqësia ishin sektorët më të prekur nga kushtet e pafavorshme të motit në Shqipëri.
Kushtet hidrometeorologjike, me 2022 që shkaktuan një numër të ri rekord të ditëve të thata, ndikuan në prodhimin e energjisë elektrike, duke ndikuar negativisht në prodhimin e përgjithshëm industrial në vend.
Nga kushtet atmosferike e ka pësuar edhe sektori i bujqësisë, ku prodhimi u rrit me vetëm 0.13 për qind. Sektori i bujqësisë në Shqipëri përbën pothuajse 18 për qind të PBB-së, më shumë se dyfishi i peshës mesatare për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Investimet në eficiencën e energjisë do të ndihmonin në përballimin e të goditjeve të tilla energjetike dhe do të reduktonin ndjeshëm ndikimin negativ të goditjeve të çmimeve të energjisë në fitimet e firmave, veçanërisht në Shqipëri.
Norma e pjesëmarrjes në tregun e punës arriti në 63.2 për qind në Shqipëri, një rekord për rajonin.
Norma e përgjithshme e pjesëmarrjes në tregun e punës u përmirësua disi gjatë vitit të kaluar për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Norma e pjesëmarrjes ishte mesatarisht 53.1 për qind në dhjetor 2022 me përmirësime që vijnë kryesisht nga Mali i Zi dhe Shqipëria.
Marrë nga Monitor.al