MENU
klinika

Ismail Uka

Berisha prezanton kandidatin për Dibrën

01.04.2023 - 12:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar ditën e sotme kandidatin për bashkinë e Dibrës në zgjedhjet vendore të 14 majit, Ismail Ukën.

Berisha tha se Uka mishëron në vetvete virtytet më të arrira të dibranëve, shpirtin e tij punëtor, ndeshmërinë, përkushtimin, atdhetarinë dhe dashurinë për Dibrën.

Kryedemokrati foli për primaret, ku tregoi se iu kërkua që t’i anulonte. Pavarësisht kësaj, kreu i PD-së thotë se nuk u tërhoq për të qenë besnik ndaj demokratëve.

“Ismail Uka është një biri juaj, i cili mishëron në vetvete virtytet më të arrira të dibranëve, shpirtin e tij punëtor, ndeshmërinë, përkushtimin, atdhetarinë, dashurinë për Dibrën, dashurinë për ju.

Ismail Uka vjen sot para jush si kandidat i juaji, si kandidat i lirisë, si kandidat i votuar nga ju dhe jo nga kryetari i partisë, jo nga kryesia e partisë.

Ky është një ndryshim i madh. Por Ismail Uka, me Skënderin në garë u nda me një votë, megjithatë fakti që ai fitoi me një votë, nuk e zhvlerëson fitoren e tij, por u dëshmon ju se çdo votë e juaj kushton dhe ndonjëherë kushton tërë fitoren.

Pati një rezistencë ndaj primareve. Në zona të caktuara më kërkonin me çdo kusht që të hiqnim dorë prej tyre. Por kurrë nuk u tërhoqa për të qenë besnik ndaj jush.

Sot ne, nga Tropoja deri në Konispol, të gjithë kandidatët tanë janë kandidatë të lirisë, kandidatë të anëtarëve, mbështetësve të PD-së.

Kjo e bën Ismailin, e bën Defrimin, e bën Skënderin, Bedriun, të gjithë kandidatët tanë kudo që janë, dy herë më të përgjegjshëm para jush. Ju garantoj ju se ata do jenë shërbëtorët tuaj, se ata do punojnë së bashku me ju për një model të ri, për një ndryshim të madh që ka nevojë jetike Dibra, që ka nevojë jetike Shqipëria”, theksoi Berisha.