MENU
klinika

Pas një muaji sakrificë

Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin!

21.04.2023 - 12:04

Të gjithë myslimanët në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajramin.

Mijëra besimtarë shqiptarë kryen faljen e namazit në orën 06:40 në të gjitha qytetet nëpër xhami e sheshe kryesore. Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Në Tiranë, besimtarët kryen faljen e namazit në orën 06:40 në “Sheshin Skënderbej”, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.

Në Durrës kremtimi i kësaj dite në qytetin bregdetar ka nisur në 6:40 të mëngjesit, kur qindra besimtarë myslimanë falën namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë.

Në Elbasan namazi i Fitër Bajramit është falur në xhaminë e madhe të qytetit, ku besimtarët mbushën sheshin. Pas faljes, besimtarët kanë shkëmbyer urimet, që kjo festë të jetë plot mëshirë, begati dhe Zoti t’ia ketë pranuar agjërimin dhe sakrificat e të sjellë gëzim në zemrat e familjet e të gjithëve.

Besimtarët mysliman të Shkodrës, kanë falur namazin në xhamitë e qytetit duke uruar njëri-tjetrin nga afër. Ceremonia e faljes u udhëhoq nga Myftiu, imam Muhamed Sytari, i cili në fjalën e tij foli për rëndësinë e muajit të Ramazanit, për bashkim dhe falje.

Besimtarët Myslimanë të Dibrës falën Namazin e Fitër Bajramit në Pallatin e Sportit “Bashkim Lala”, të qytetit të Peshkopisë. Falja e Fitër Bajramit u bë në orën 6:40 të mëngjesit. Të shumë ishin besimtarët e pranishëm, që pas një muaji agjërim, kryen ritin e faljes.

Në Lushnjë besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Fitër Bajramit në sheshin kryesor të qytetit. Pas agjërimit një mujor besimtarët, tejet të shumtë në numër, janë falur këtë mëngjes teksa faljen e drejtoi imami i xhamisë Lushnjë.

Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Bulqizë pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazani qindra besimtarë e besimtare myslimane të rrethit të Bulqizës, mëngjesin e sotëm kanë kryer ritin e faljes së Fitër Bajramit.

Në Vlorë, rreth orës 7 të mëngjesit besimtarët myslimanë kanë falur namazin në sheshin para xhamisë së Plumbit. Ceremonia e faljes është drejtuar nga kreu i myftinise së Vlorës, Armand Asllani, i cili ka përcjellë mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri-tjetrit.

Edhe në Fushë-Krujë, besimtaret myslimanë, që në orët e para të mëngjesit iu drejtuan stadiumit të qytetit të Fushë Krujës për faljen e Fitër Bajramit. Ceremonia u drejtua nga Hoxhë Muharrem Vrana dhe Dritan Rrahmani, të cilët kanë përcjellë mesazhe urimi për të gjithë besimtarët. Kjo ditë feste konsiderohet simbol i paqes, harmonisë dhe dashurisë.

Festimet vijojnë më pas me drekën e Bajramit e më pas me vizita mes miqve dhe të afërmve. Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fiter Bajramit pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Sakrifica në emër të mësimit të jetë shtysë për të bërë vepra të mira"

Bajram Begaj uron besimtarët myslimanë