MENU
klinika

Gjobat nuk frikësojnë më

BIRN: Shkeljet e ligjit anti-duhan në Shqipëri rriten me 12 herë

13.04.2023 - 19:30

Pas një periudhe ndërgjegjësimi, ligji anti-duhan po sfidohet masivisht gjatë viteve të fundit në kryeqytet pavarësisht gjobave të kripura, duke sjellë sipas ekspertëve dëme në shëndetin e qytetarëve, qofshin ose jo duhanpirës.

Agroni rreth të 60-tave është pronar i një lokali të vogël pranë fshatit Vaqarr, buzë rrugës së vjetër që lidh Tiranën me Durrësin, dhe çdo mëngjes shpërndan tavlla për klientët e tij duhanpirës.

Kur ky reporter e vizitoi lokalin e tij në fillim të prillit, tre nga gjashtë tavolinat e vogla në ngjyrë kafe të errët ishin të zëna nga njerëz që pinin cigare.

I zoti i lokalit thotë shkoqur se pavarësisht ligjit, ai nuk mund t’i ndalojë klientët të pinë duhan në ambientet e brendshme, ose përndryshe do t’i humbë ata.

“S’kam çfarë të bëj,. Nëse e ndaloj unë, do ikin dhe këta klientë që janë dhe do shkojnë tek lokalet e tjera,” thotë ai duke ngritur supet.

Agroni është gjithashtu i kënaqur me mungesën e kontrolleve nga autoritetet.

“Nuk na kanë bezdisur. Me thënë të drejtën, këtu në fshat sikur nuk funksionon fare shteti,” shtoi ai, duke kërkuar që të mos i publikohej emri i plotë.

Lokali i tij nuk është i vetmi. Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor me kërkesë për të drejtë informi, tregojnë se numri i shkeljeve të identifikuara të ligjit anti-duhan u rrit me mbi 12 herë nga viti 2021 në vitin 2022 së bashku me numrin e gjobave.

Nga 12 penalitete të vendosura në vitin 2021, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ndëshkoi 151 subjekte në vitin 2022. Trendi vijon i njëjtë edhe këtë vit, ndërsa vetëm në dy muajt e parë janë marrë masë administrative ndaj 49 subjekteve. Të gjitha shkeljet, sipas Inspektoratit janë kapur në kryeqytet.

Ligji anti-duhan nisi të zbatohej në gusht të vitit 2014, ku kontrollet dhe gjobat e larta sollën ndërgjegjësimin e pronarëve të lokaleve dhe restoranteve si dhe të qytetarëve. Me një ndryshim në vitin 2019, hapësira e zbatimit të tij u rrit, pasi parashikohet që duhani nuk pihet as në hapësira që janë të mbyllura më shumë se 50%.

Eksperti Roland Shuperka, i cili është një nga hartuesit e ligjit anti-duhan thotë se gjobat e larta të parashikuara në ligj dhe mënyra se si funksionon Inspektorati e kanë përkeqësuar gjendjen së fundmi.

“Moszbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë”, thotë ai është faktori kryesor që ka sjellë rritje të shkeljeve.

Ligji parashikon ndëshkime prej 300 mijë lekësh për shkeljen e parë që rritet në mënyrë progresive deri në 180.000 mijë lekë nëse shkelja ndodh për herë të tretë brenda vitit.

Por Shuperka thotë se vendosja e gjobave të larta nuk e ka ndryshuar gjendjen. “Ky nivel gjobash mund të ndikojë negativisht në zbatimin e ligjit,” thotë ai.

Ndëshkimi me gjobë i shkelësve bëri që ligji të zbatohej në mënyrë rigoroze për disa vite, por me kalimin e kohës duket se gjithçka u harrua.

Eksperti Roland Shuperka i tha BIRN se pasojat ishin të rënda dhe numri i personave të prekur nga sëmundje të rënda të mushkërive për shkak të duhanpirjes është në rritje.

Po ashtu, Shuperka mendon se pirja lirshëm e cigares ka sjellë përhapje të saj edhe te adoleshentët. “Sipas studimeve nga GYTS, shifrat tregojnë se duhanpirja në grupmoshat 13-15 vjeç është në rritje,” shtoi ai.

Mosrespektimi i ligjit i rrezikon të gjithë qytetarët, pasi sipas Shuperkës “ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të duhanit është po aq i dëmshëm sa dhe thithja e tymit në mënyrë direkte nga duhanpirësit”.

Ai shton se djegia e cigareve lëshon mbi 6000 kimikate të dëmshme, ku një pjesë e mirë e tyre janë shkaktarë të sëmundjeve që lidhen me duhanpirjen.

Pavarësisht ligjit kufizues, të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se importet e grupmallrave ku bën pjesë dhe duhani njohën rritje në vitet e fundit krahasuar me disa vite më parë.

E njëjta gjë vihet re dhe për cigaret elektronike apo ‘vapes’, që kanë fituar popullaritet në të gjithë vendin vitet e fundit, me një bazë konsumatorësh në moshë të re. Të dhënat e importeve tregojnë se vitin e shkuar, shqiptarët shpenzuan rreth 1.5 milionë Euro mallra të kësaj kategorie, shumica e të cilave kishin si vend origjine Kinën.

Shuperka thotë se sot nikotina po merret në forma nga më të ndryshmet përmes produkteve të reja të njohura si “vape” apo “pufes” – të cilat sipas tij janë të rrezikshme për të miturit dhe adoleshentët.

“Në asnjë moment këto pajisje nuk duhet të përdoren nga minorenët apo jo-duhanpirësit. Ato pajisje duhet të përdoren ekskluzivisht nga persona madhorë të varur nga nikotina dhe që nuk munden të lënë duhanin. Sigurisht, këtu duhet t’u themi duhanpirësve që të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e këtyre produkteve dhe prodhuesve të tyre,” tha ai.

Eksperti sugjeron se zbatimi më i mirë i ligjit do duhej të normalizonte situatën, por thotë se kjo duhet të fillojë që me mënyrën se si Inspektorati u qaset bizneseve.

“Inspektorët nuk duhet të punojnë në presion nga lart: Vendosni gjoba se nuk po zbatohet ligji,” thotë ai, duke këmbëngulur për një qasje më të madhe edukuese./BIRN