Bashkitë po ulin vlerën e borxheve, por me ritme shumë të ngadalta. Detyrimet e prapambetura të 61 njësive e pushtetit vendor arritën në 5.9 miliardë lekë, duke u ulur lehtë në raport me 2021-shin.
Pjesa më e madhe e këtyre parave duhet të shkojnë për të shlyer faturat për investimet e kryera, shërbimet e marra, vendimet gjyqësore, mallrat apo punët për mirëmbajtje.
“Është një barrë që vjen dhe mbartet me vete çdo vit. Çdo kryetar bashkie vjen me mendësinë: pse duhet të paguaj unë borxhet e tjetrit,” shprehet Merita Toska, eksperte e financave vendore.
Në uljen e detyrimeve të prapambetura, për eksperten e financave vendore, Merita Toska ndikim ka pasur nisma e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Hyrja në fuqi e ligjit të ri detyron bashkitë që 30 për qind të parave nuk arrijnë të përdorin të shkojnë për të shlyer borxhet.
“Është materializuar qëndrimi që MFE ka pasur që në krye të herës. Pagesa duhet të kryhet nga bashkitë dhe jo nga buxheti i shtetit.”
Të dhënat tregojnë se Tirana, Dibra, Kavaja, Vora dhe Ura Vajgurore janë bashkitë me nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura.
Veç rregullit të ri për kalimin e buxhetit të papërdorur te shlyerja e borxheve, ulja e detyrimeve mund të arrihet nëpërmjet rritjes së performancës në mbledhjen e të ardhurave, përndryshe do të merren në administrim nga qeveria.
Ndonëse në rënie nga viti në vit, detyrimeve e prapambetura të bashkive vijojnë të mbesin në nivele të larta.
Dibra, Kavaja, Vora dhe Ura Vajgurore janë bashkitë me nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura. Pjesa më e madhe e këtyre borxheve janë për të shlyer faturat për investimet e kryera dhe shërbimet e marra.