MENU
klinika

300 dëshmitarë do të pyeten në 700 orë

Çfarë ndodhi në seancën e parë të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK

04.04.2023 - 12:32

Pas dy vite e gjysmë në paraburgim, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ditën e djeshme dolën para trupit gjykues në seancën fillestare të gjykimit të tyre. Prokuroria Speciale njoftoi se për gjyqin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë. Ata do të pyeten në lidhje me krimet e pretenduara, strukturën e UÇK-së, sjelljet e të akuzuarve dhe elementët kontekstualë penalë. Ata do të pyeten për rreth 700 orë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u njohën dje me akuzat e përzgjedhura nga Prokuroria Speciale. Prokurorët për më shumë se 5 orë kanë dëshmuar disa pika të aktakuzave, mes të cilave edhe ajo e ngritjes së një hirearkie dhe fuqie organizative nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke i bërë përgjegjës 4 ish-udhëheqësit e luftës për vrasjen e mbi 100 personave që u tha se konsideroheshin tradhtarë. Po ashtu prokurorët pretenduan se ish-krerët e UÇK-së kanë keqtrajtuar dhe detyruar anëtarë të LDK-së që të bëjnë deklarata publike për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për çfarë është dëshmuar më sipër, ish-krerët e UÇK-së u përshkruan si krijues të një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Alex Whiting: Nuk po gjykohet, UÇK-ja por individët në fjalë
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, foli i pari, duke thënë se nuk po gjykohet UÇK-ja por individët në fjalë. “Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në. Nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë, e ka gabim, është e rreme. Thjesht nuk është e vërtetë. Akuzat ngrihen kundër katër personave, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin ’98 dhe ’99”, tha ai. Në nisje të procesit gjyqësor është ‘piketuar’ ish-presidenti Hashim Thaçi, për të cilin prokurori ëhiting e akuzoi atë se e kishte mohuar rolin e tij dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. “Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’ju dhënë prokurorëve intervistë të zgjatur dhe të video-incizuar. Gjatë këtyre intervistave, mes një sërë pranimesh të rëndësishme, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe lidhur me rolin e Shtabit të Përgjithshëm. Për shembull, z. Thaçi pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të ’98-ës dhe edhe pas kësaj date, ekzistonte vetëm në letër”, tha prokurori. Prokurori i Specializuar paraqiti edhe disa prej provave për krimet që pretendon se u kryen nga ish-krerët e UÇK-së. Sipas tyre, të paktën 102 persona vdiqën si pasojë e maltretimeve. Pretendohet se viktimat mbaheshin e torturohesh në stalla kafshësh, prej tyre viktimat ishin shqiptarë, serbë e romë. Prokuroria Speciale po ashtu insiston në faktin se UÇK kishte një hierarki e cila ishte në dijeni të të gjitha krimeve që kryheshin e që nuk kishte marrë masa për t’i parandaluar. E nga mbrojtja e viktimave u kërkuar edhe kompensim, duke shtuar se dëmi që kanë përjetuar vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në fund të seancës foli dhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, i cili tha ky proces gjyqësor duhet ta gjejë të vërtetën. Sipas tij, shqiptarët që u paraqitën si viktima në këtë rast kanë pranuar që të mos flisnin, por kjo nuk ka funksionuar. Ndër të tjera Laws tha se disa prej atyre që janë paraqitur si viktima janë etiketuar si tradhtarë. “Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim. Ata ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ndër tjerash Laws. Një grup shqiptarësh janë mbledhur para gjykatës në Hagë për të protestuar e kërkuar lirimin e tyre. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith njoftoi se sot do të vazhdojë gjykimi me dëshmitë e avokatëve të të akuzuarve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Seanca nis me deklaratat e mbrojtjes së Thaçit

Ish-krerët e UÇK sërish përpara Gjykatës Speciale