MENU
klinika

Analiza

Deri ku mund të sakrifikojë Xi Jinping për Putinin?

25.04.2023 - 08:30

Në dhjetor 1949, 2 muaj pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Duni shkoi në Moskë për të takuar homologun e tij sovjetik, Josif Stalin. Por në vend se ta mirëpriste liderin kinez si një bashkëluftëtar fitimtar, Stalini i dha leksione Maos se si ta drejtonte kombin e tij.

Më pas e detyroi të priste 17 ditë në një shtëpi fshati jashtë kryeqytetit sovjetik, përpara se të takoheshin sërish. ”U zemërova aq shumë me të sa që një herë përplasa grushtin në tryezë”- i tha më vonë Mao një ambasadori sovjetik.

Shtatë dekada më vonë, balanca e pushtetit ka ndryshuar. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ngritjes së Kinës si një superfuqi ekonomike, dhe pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, është Pekini ai që ka avantazhin në marrëdhënien dypalëshe, dhe nga ai varet e ardhmja e Rusisë.

Kur Xi Jinping mbërriti në Moskë për një vizitë 3-ditore në fund të muajit mars, Putini e priti me një ceremoni madhështore, me roje me uniforma perandorake, dhe në sallën më luksoze të Pallatit të Madh të Kremlinit. Mesazhi për gjithë, në Rusi dhe jashtë saj ishte ky: ne rusët nuk jemi vetëm, Kina është ende me ne, dhe miqësia jonë nuk mund të ishte më e ngushtë sesa kaq.

Bota sipas Xi Jinping dhe Vladimir Putin

Por ka ndryshuar edhe panorama politike globale. Ashtu si Stalini dhe Mao u afruan me njëri-tjetrin për shkak të kërcënimit të supozuar nga imperializmi perëndimor, për të formuar aleancën kino-sovjetike në vitin 1950, pavarësisht dallimeve midis tyre, edhe Xi dhe Putin janë sot në një aleancë për atë që ata e perceptojnë si një luftë e re epokale kundër Perëndimit.

Lufta e Rusisë në Ukrainë i ka dëmtuar interesat kineze. Sepse i ka forcuar aleancat perëndimore, i ka ndërlikuar marrëdhëniet e Pekinit me Evropën, ka ngadalësuar rritjen ekonomike globale dhe ka nxitur riarmatimin e Japonisë. Por për Xi këto janë probleme dytësore.

Shqetësimi i tij më i madh është konkurrenca me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, që sipas tij do të përcaktojë të ardhmen e rendit global. Para se të shkonte në Moskë, ai sulmoi atë që ai e quajti “frenim, rrethim dhe shtypje e gjithanshme” ndaj Kinës nga vendet ana e vendeve perëndimore.

Mbi të gjitha ai ka nevojë për Putinin si një partner në këtë luftë. Këtë herë nuk ka asnjë aleancë formale midis Putinit dhe Xi-së. Dhe është zhdukur ideologjia socialiste që lidhte dikur Stalinin dhe Maon. Gjithsesi, kjo mund ta bëjë më të fortë aleancën e re kino-ruse.

Të dyja këto fuqi nuk po konkurrojnë më për udhëheqjen e lëvizjes komuniste globale, dhe e kanë mësuar nga ndarja e tyre e dhunshme në vitet 1960-s e cila kulmoi me përleshjet kufitare mes ushtarëve kinezë dhe sovjetikë në vitin 1969 – se është më mirë të jesh fqinjë të mirë sesa armiq të egër.

Por pavarësisht partneritetit “të pakufishëm”, të shpallur nga të dy udhëheqësit në Pekin në shkurt 2022 përpara luftës në Ukrainë, viti i kaluar ka treguar se në fakt ekzistojnë disa kufizime në këtë marrëdhënie, e cila është shumë e pabarabartë. Por nga ana tjetër ajo është elastike.

S’ka asnjë arsye të besohet se Xi po përgatitet të distancohet nga Putini, apo t’i bëjë presion që t’i japë fund luftës së tij kundër Ukrainës. Sepse edhe tani që Putini kërkohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte, përfshirë dëbimin e paligjshëm të fëmijëve, Xi nuk po tregon asnjë hezitim për të qëndruar përkrah tij, dhe për të lavdëruar miqësinë personale midis tyre.

Në fund të samitit të marsit, të dy burrat u filmuan duke ecur së bashku drejt makinës së liderit kinez, ku Xi iu drejtua Putinit para kamerave. “Tani po ndodhin ndryshime, të cilat nuk i kemi parë prej 100 vitesh. Dhe jemi ne ata që i drejtojmë këto ndryshime së bashku”-i tha Xi, duke buzëqeshur ndërsa shtrëngonin duart me njëri-tjetrin.

Por kjo nuk do të thotë se Putin dhe Xi bien dakord, se si duhet të duket saktësisht një rend i ri botëror. Rritja e Kinës është nxitur nga integrimi i saj në tregjet globale, ndërsa qasja e Rusisë ndaj politikës së jashtme, bazohet gjithnjë e më shumë te konceptet e shekullit XIX-të të fuqisë së fortë.

Pekini dëshiron reformimin e sistemit ekzistues në favor të tij, dhe jo shkatërrimin e tij të plotë. Ndaj po bëhet gjithnjë më e vështirë të injorohet asimetria në rritje mes tyre. Çështja është se deri në çfarë pike janë të gatshëm kinezët ta shtyjnë avantazhin e tyre në kurriz të Rusisë.

Për shembull Moska ka qenë prej kohësh e kujdesshme ndaj pretendimit të Pekinit se është një fuqi “afër Arktikut”. Po ashtu ajo ka refuzuar ta furnizojë ushtrinë kineze me disa nga sistemet e saj më të avancuara të armëve. Por në kushtet e një ndikimi të reduktuar Moska, mund të detyrohet së shpejti të lëshojë terren ndaj Kinës për të dyja çështjet.

Ndërkaq Kina e ka forcuar gjatë viteve të fundit praninë e saj në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore. Xi e nisi projektin e tij të madh infrastrukturor jashtë shtetit, Nismën “Një Brez, Një Rrugë”, pikërisht në Kazakistan në vitin 2013, në një kohë që Kina ka ndërtuar një bazë ushtarake në Taxhikistan.

“Është e qartë se midis Kinës dhe Rusisë ekzistojnë tensione mbi disa çështje të caktuara, sidomos mbi Azinë Qëndrore”- thotë Rafaelo Pantuçi, studiues në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare S. Rajaratnam në Singapor. Por nga ana tjetër, të dyja palët kanë interes që t’i fshehin dallimet e tyre, të paktën në publik.

“Nëse Kina e përdor ndikimin e saj në një mënyrë të respektueshme, duke adresuar ndjenjën e prestigjit dhe krenarisë së Rusisë, atëherë bota e jashtme nuk do ta mësojë se sa shumë po ushtron presion Kina në prapaskenë. Kjo nuk është mënyra e saj e preferuar e veprimit.

Por për shkak se Rusia nuk ka shumë opsione në dispozicion, ajo do të duhet të pranojë rolin në rritje të Kinës në Arktik dhe Azinë Qendrore, si dhe dominimin e saj në rritje mbi peizazhin teknologjik”-thotë analisti tjetër Aleksandët Gabuev.

Problemet e vërteta, mund të fillojnë vetëm nëse Kina do të nisë të shfaqë epërsinë e saj në rritje ndaj Rusisë, dhe regjimi i Putinit detyrohet të bëjë lëshime poshtëruese ndaj Pekinit. Dhe në këtë aspekt, ekzistojnë disa kufizime të dukshme mbi dëmin kolateral që është e përgatitur të pësojë Kina në shërbim të ambicieve imperialiste të Putinit.

Ashtu si me aneksimin e Krimesë në vitin 2014, Kina nuk e njeh pretendimin e Rusisë për të aneksuar 4 rajone të tjera të Ukrainës në vitin 2022. Nga ana tjetër, ndërsa Kina e ka shtuar tregtinë e përgjithshme dhe eksportet e teknologjisë me përdorim të dyfishtë (që mund të përdoret si në pajisjet civile ashtu edhe ato ushtarake) me Rusinë, si për shembull gjysmëpërçuesit, kompanitë e mëdha kineze kanë shmangur deri më tani shkeljen e hapur të sanksioneve ndërkombëtare.

Kur Putini u mburr gjatë samitit të tij me Xi, se ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje për ndërtimin e gazsjellësi të ri “Power of Siberia II”, Xi nuk tha asgjë. “Kina drejtohet nga parimi i vetëruajtjes. Kompanitë shtetërore kineze të naftës dhe gazit, kanë qenë të kujdesshme në lidhje me hyrjen në projekte që mund të jenë të cenueshme ndaj sanksioneve, apo kontratave afatgjata që mund të komprometojnë politikën afatgjatë të Kinës për diversifikimin e furnizimeve me energji.

Xi mund të mos dëshirojë që Putini të humbasë luftën në Ukrainë – i shqetësuar se një disfatë mund të dobësojë mbajtjen e tij në pushtet – por ai nuk është i përgatitur të sakrifikojë ekonominë kineze për ta ndihmuar Rusinë të fitojë”- thotë – Yanmei Xie, analist gjeopolitik në kompaninë e konsulencës “Gavekal Research”