MENU
klinika

Të penduarit, “çelësat” e SPAK

Ekspertët: Sekretet e tyre nuk duhet të dalin në pazar

09.04.2023 - 13:40

Të penduarit e drejtësisë janë ‘asi nën mëngë’ për Prokurorinë e Posaçme, pasi dëshmitë e tyre kanë hedhur dritë në një serë krimesh te renda që kanë tronditur vendin. Deri më tani statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë e gëzojnë 13 persona, në mesin e te cileve disa jane personazhe te njohur te botes se krimit si Nuredin Dumani, Erjon Alibej, Henrik Hoxha etj.

Ata kane zberthyer vrasje të bujshme, ku pa dëshminë e tyre, SPAK dhe organet e tjera të hetimit do ta kishin thuajse të pamundur për ti shkuar deri në fund. Por ekspertët shprehen se institucionet nuk duhen varur vetëm nga këto dëshmi, por të thellohen në bashkëpunimin mes tyre.

ARTAN REXHEPI

EKSPERT KRIMINALISTIKE

Me thënë të drejtën, ato janë hallka zinxhir, polici, prokurori, gjykatë edhe duhet të lëvizin si një trup i vetëm. Lëndën e parë ia jep policia, prokurorisë përmes punës së vet dhe informacioneve operative. Policinë nëse e le të lirë, besoj se rendin e vë. Mbase edhe politika duhet të këpusë lidhjet me krimin, që policia të bëjë punën e vet.

Publikimi i deklaratave të të mbrojturve nga drejtësia, për ish-prokurorin Eugen Beçi është një rrezik që mund të cenojë vetë hetimet.

EUGEN BEÇI
ISH KREU I PROKURORISË SË KRIMEVE TË RËNDA

Derisa këto deklarime kanë dalë shumë shpejt në media do të thotë që ky bashkëpunim dhe kjo ruajtje sekreti nuk ka funksionuar. Ritheksoj të ruash sekretin e një të penduari të drejtësisë, ruan jetën e tij, por edhe të personave të tjerë, ruan faktin që drejtësia do të bëhet sa më objektive.

Por çfarë i ofron programi i mbrojtjes së dëshimitarit, një të penduari?

EUGEN BEÇI
I penduari i drejtësisë ka të gjitha garancitë që i jep shteti, përpiqet shteti t’i japë, sepse shpeshherë ato janë të vështira për tu realizuar, por janë masa të posaçme, të cilat i realizojnë sigurinë të penduarit dhe familjarit të tij. Për benefitet, krahas këtyre masave mbrojtëse, të cilat e lejojnë të krijojë jetën e re në më, ka përjashtim të plotë nga dënimi. Përvoja ka treguar se jeta e një të penduari është e sigurt, masat e marra në kuadër të legjislacionit për të penduarit e drejtësisë, duket se deri tani kanë funksionuar, për mbrojtjen e tij dhe të familjarëve të tij.

Mbeshtetja e hetimeve ne deshmite e te penduarve të drejtësisë ka nisur me Adriatik Colin, i cili zbërtheu dhe çoi pas hekurave disa anëtarë të bandës së Durrësit. Ndërkohë, krahas dosjes “Plumbi i Artë”, Prokuroria e Posaçme ka siguruar edhe 10 bashkëpunëtorë të tjerë.

6 prej tyre kanë fundosur grupin e strukturuar kriminal që transportoi nga porti i Durrësit 2.5 tonë kanabis drejt Europës.

Luftar Reçi nga ana tjetër po vijon të dëshmojë për vrasjet e bujshme të 2005 të biznesmenëve Vajdin Lame dhe Klodian Saliu. Një tjetër bashkëpunëtor, Ervis Bardhi ka dëshmuar për vrasjen e dyfishtë të babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, e pas dëshmisë së tij, SPAK ka kërkuar për porositësin e këtyre ekzekutimeve Ardian Çapja burg përjetë.