Janë gjetur rroba të djegura që dyshohet se i përkasin personit që vrau biznesmenin dhe eksponentin politik, Ardian Nikulaj. Mësohet se rrobat janë gjetur në një banesë në Gjadër të Lezhës. Mbetjet e rrobave do të dërgohen për ekspertim në laboratore, për të parë nëse ka mbetje ADN-je që mund të çojë në identifikimin e vrasësit të Nikulajt. Kontrollet vijojnë ende dhe pritet të zbardhen detaje të mëtejshme.
Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19 prillit kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Autori, siç u pa nga pamjet, mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja.
Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën. Deri më tani raportohet se autoritetet kanë rënë në gjurmë të dy automjeteve që mund të jenë përdorur nga autorët për tu larguar nga vendngjarja, pas ikjes me motor.