Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vendosur të vazhdojë masën e paraburgimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Kadri Veselit.
Ka qenë Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, i cili në përditësimin e informacionit ka thënë se ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do t’u vazhdohet masa e paraburgimit, pasi trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rreziku që ndërprerja e masës së paraburgimit ndaj tyre mund të pengojnë ecurinë e procesit.
“Të hënën, më 17 prill, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi dhe z. Veseli. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që Thaçi dhe Veseli të pengojnë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejnë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Duke qenë se si z. Thaçi ashtu dhe z. Veseli, kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë kohe të konsiderueshme, Trupit Gjykues dhe palëve u kërkohet të mbajnë parasysh nevojën që gjykimi të kryhet sa më shpejt që është e mundshme”, ka thënë ai.
Zëdhënësi ka thënë gjithashtu se dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokuroria në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit i përfunduan dëshmitë e tyre. Ata dëshmuan me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private dhe që të dyve iu bënë pyetje nga ekipet e Mbrojtjes, dhe njërit prej tyre edhe nga mbrojtësi i viktimave. Dëshmia e dëshmitarit të tretë po vazhdon dhe po kryhet në seancë të mbyllur.
“Të gjitha gjykimet në DHSK janë publike; megjithatë ndonjëherë gjykatësit vendosin të kryejnë një pjesë të seancës në atë që quhet seancë private, ose të redaktojnë informacione të caktuara për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose viktimave. Vendimi për ta kryer seancën në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me shumë kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve e dëgjojnë atë që thotë dëshmitari dhe kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje”, ka thënë zëdhënesi Gjykatës Speciale.