MENU
klinika

Mero Baze

Ilir Meta/j, si zyrë e talibanëve në Qatar

11.04.2023 - 20:49

Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i SHBA për Çështjet Evropiane dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, po qëndron 24 orë në Tiranë, para nisjes zyrtare të fushatës elektorale, për t’u dhënë një mesazh të qartë qeverisë dhe partive politike, lidhur me integritetin e kandidatëve dhe rëndësinë e standardit të zgjedhjeve.

Pas takimit të sotëm me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj, Escobar do të takohet nesër me përfaqësues të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, si dhe me Ilir Metën/aj, në cilësinë e kreut të koalicionit Berisha-Meta.

Në fakt, i vetmi lajm politik është takimi me Ilir Metën/aj. Është i vetmi lajm, pasi Ilir Meta ka qenë zyrtari më i lartë i shtetit shqiptar që kishte raporte problematike me SHBA gjatë karrierës së tij, sidomos në bllokimin në çdo hap që i bënte reformës në drejtësi e më pas në përplasjet direkte me ambasadorin Donald Lu e më pas ambasadoren Yuri Kim.

Ai bëri deklarata të papranueshme kundër raporteve me SHBA në prag të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2021, përfshirë dhe paranojat e tij se amerikanët do ta vrisnin në Malin me Gropa.

Por nuk është e shkuara e Ilir Metës/aj, që përbën lajm. E tashmja e tij është akoma një lajm më i rëndësishëm.

Ilir Meta/j, është formalisht kryetari i koalicionit në të cilin garon Sali Berisha dhe partia e tij e mbetur pa vulë. Ai është strehuesi i partisë më anti-amerikane në historinë e Shqipërisë, dhe vet është dënuesi publik i dizajnimit nga SHBA të Sali Berishës si “non grata”.

Ai bashkë me Berishën, e shikon këtë fushatë elektorale, si një rast për t’i bërë karshillëk politikës së SHBA në Shqipëri me shpalljen e Berishës “non grata” dhe akoma më keq, me mbështetjen që SHBA jep për Partinë Demokratike të mbetur pas ndarjes me Berishën.

Natyrisht lajmi nuk ka të bëjë me faktin që i dërguari amerikan do të pajtohet me ta, por që po përdorë një person teknikisht të pandëshkuar nga SHBA për të folur me “talibanët” shqiptarë.

Ky është një favor i madh për Ilir Metën/aj, pasi jo vetëm që pastron të shkuarën e tij anti-amerikane, por po e bën fakt të kryer shkrirjen e “Foltores” brenda partisë së tij, duke u treguar se e vetmja rrugë që ata të kenë të ardhme në politikë është të kenë Ilir Metën/aj, kryetar .

Kjo jo vetëm që e bën bindëse retorikën e kundërshtarëve të dyshes Berisha- Meta/j, se ata tani janë nën komandën e Metës/aj, por pak nga pak e ndan dhe opozitën në dy rryma të qarta, në atë anti-perëndimore me komandant Ilir Metën/aj dhe komisar Sali Berishën, dhe në një pjesë tjetër që mund të organizohet nën siglën e PD, që të ruaj orientimin perëndimor të opozitës shqiptare.

Kështu që e vetmja shpresë për Foltoren tani e tutje është të mbajë fort Ilir Metën/aj, që ta kenë si pikë kontakti me Perëndimin. Siç mbanin talibanët një zyrë në Qatar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN