MENU
klinika

"S’bashkëpunoj me non-grata”

Kandidatja e Alibeajt “sulmon” Berishën

01.04.2023 - 12:43

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi ditën e djeshme akuza ndaj dy kandidatëve për bashkinë e Vaut të Dejës, Klomentina Drinit dhe Kristian Shkrelit, të cilët i quajti kandidatë të Tom Doshit.

Pas kësaj deklarate ka ardhur reagimi i kandidates së PD-së së vulës, Klomentina Drinit.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kandidatja e Alibeajt e thotë se nuk bashkëpunon me persona “non-grata”, duke iu referuar kështu Sali Berishës.

“Zoti ‘non-grata’! Pavarësisht furisë së pritshme të sulmeve të paimagjinueshme ndaj meje, po të sqaroj: Unë jam Klomentina Drini! Jam pro amerikane! Jam pro europiane! Jam pro mbretërisë! Nuk bashkëpunoj me persona ‘non-grata! Koha dhe veprat e kanë vërtetuar qëndrimin tim! Unë jam historikisht me Partinë Demokratike!

Partia Demokratike, nuk është një parti Kryetari që qon ujë në mulli të Ilir Metës, por një PD vlerash, e hapur për të gjithë ata që ndajnë të njëjtat ide dhe parime të djathta, me orientim qartësisht të fortë pro amerikan, pro perëndimor, me një program modern, vizion e thjeshtësi duke përfshirë në rradhët e veta gjithkënd që ndan të njëjtat interesa dhe filozofi politike.

Theksoj se pjesëmarrja ime në garë elektorale është e vendosur dhe s’ka bashkëpunim apo presion që më kthen pas! Do të përfaqësoj me dinjitet vlerat e Partisë Demokratike dhe të gjithë Demokratëve në Bashkinë Vau i Dejës. Demokratët e kanë vendin në shtëpinë e tyre, në Partinë Demokratike”, shkruan ajo.