Trafiku i armëve nga Porti i Durrësit ka lënë në ngërç të madh hetimor organet kompetente pasi ende nuk kanë mundur të identifikojnë personin që do ta priste ngarkesën.
Po ashtu, Policia dhe as Prokuroria ende nuk kanë shkuar te gjurmët e personit që e dorëzoi pakon me tetë pistoleta, që sipas policisë janë të reja, në duart e shoferit, të riut nga Kukësi që ishte i punësuar nga një kompani që bënte transport mallrash në drejtim të Britanisë së Madhe.
Edhe pse për dy ditë më radhë zona e “Alliasit” u blindua me polici, u hapën kamera të shumta të objektit nga ku është nisur mjeti me pakot, edhe pas dëshmive të shumta, ende nuk ka një person tjetër të arrestuar përveç shoferit të mjetit. Ky i fundit në fakt ka vijuar të jetë në pozita mohuese për dijeninë mbi mallin që kishte në furgon, duke shpjeguar edhe procedurën që ndiqet për ngarkimin e mjetit, por Prokuroria e Posaçme ka vendosur ta mbajë në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve.
Referuar të dhënave të pakta që pasojnë zbulimin e trafikut të armëve me Anglinë, trafik që u tentua të bëhej nëpërmjet portit të Durrësit, ku në kontrollin e parë armët kaluan të pazbuluara, mësohet se kompania e transportit është në emrin e një personi të njohur për policinë tonë por edhe për atë britanike.
ZHVENDOSJA E HETIMEVE
Kapja e 8 pistoletave të markave të ndryshme në Portin e Durrës, ka shtyrë prokurorët e SPAK, t’i drejtohen me një letërporosi autoriteteve angleze, me qëllim kërkimin e ndihmës juridike. Armët e bllokuara kishin si destinacion Anglinë. SPAK ka kërkuar përmes letërporosisë që anglezët të verifikojnë personin pritës, që jetonte në Angli. Pakoja postare, e përbërë nga një tavolinë druri, ku ishin futur 8 pistoletat, do pritej nga një person në Angli. Emri i personit dhe numri i telefonit të tij ishte shënuar në pako.
Por për shkak se ky person ndodhet në Angli, SPAK ka kërkuar nga policia e këtij vendi që të kryejë verifikime me qëllim gjetjen e personit. Kapja e 8 pistoletave në portin e Durrësit që kishin si destinacion final Anglinë, ka sjellë hetime për pronarin e agjencisë së transportit, “Sihana Transport”. Kompania vepron në Shqipëri pranë një spitali privat në Tiranë. Ndërsa rezulton se prej shkurtit 2021 të jetë regjistruar si biznes edhe më Londër, ku pronar i së cilës është Guxim Sefolli. Lidhur me këtë ngjarje në Durrës pak ditë më parë u arrestua shoferi i furgonit, shtetasi Jetmir Koloshi, i cili aktualisht është mbyllur në masën e sigurisë “Arrest në burg”.
VERIFIKIMET
Kompania për të cilën punonte djali nga Kukësi si shofer transporti mallrash mësohet se është e regjistruar edhe në Londër dhe madje kryen këtë transport prej shumë kohësh. Policia jonë ende nuk ka mundur të sigurojë një dëshmi të pronarit të armëve, ndërkohë që në fakt ende nuk është përcaktuar as destinacioni përfundimtar i asaj pakoje. Të dhënat që janë si adresë e pritësit mësohet se nuk janë të qarta dhe se ende nuk është mundësuar lokalizimi i personit që duhej të dilte dhe ta merrte porosinë.
Drejtuesi i mjetit nuk ka qenë i qartë në lidhje me personin pritës dhe në dëshminë e dhënë në polici dhe prokurori ai ka shpjeguar se vendi i shkarkimit është tek firma që ka selinë në Londër dhe se nga aty bëhet shpërndarja e pakove ose vetë të interesuarit vinë dhe bëjnë tërheqjen e mallit të tyre. Kështu duket se policia jonë ende nuk e ka të qartë mekanizmin, ndërsa po kërkon jo vetëm pritësin e armëve, por edhe dërguesin, pasi shoferi i frugonin nuk pranon të ketë dijeni për çfarë përmbante ajo pako.