Arbitri me stemën e FIFA-s që gjykon në Superligën shqiptare të futbollit, Juxhin Xhaja u përball fundjavën që lamë pas me një ngjarje të paprecedentë, duke u kërcënuar me jetë vetë ai dhe familjarët e tij, për të mbajtur krahun e Kastriotit në ndeshjen e javës së 28-të kundër Bylisit.
Për këtë, dueli u anullua nga FSHF-ja, me institucionin e futbollit që ka dënuar aktin. Në lidhje me këtë ngjarje, gazetari i Report TV, Sokol Dema mëson se çështja është nën hetim pas lajmeve në medie dhe reagimit të FSHF, duke mos pasur asnjë kallëzim nga palët.
Gjithashtu mësohet se arbitri Juxhin Xhaja apo familjarët e tij nuk janë marrë deri në këto momente në mbrojtje nga policia. Nga vetë Xhaja nuk është bërë një kallëzim në polici në lidhje me këtë ngjarje.
Kujtojmë se FSHF e zhvendosi duelin për në “Elbasan Arena” në 19 prill, teksa organi i futbollit pranoi presionin dhe kërcënimet nga njerëz të lidhur me klubin krutan. Veç saj, edhe për ndeshjen e javës së 27-të po në stadiumin e Kamzës, ku Kastrioti fitoi 2-1 me Laçin, një gol për kurbinasit u anullua pas presionit për arbitrat.