MENU
klinika

Deklarata e ish-shefes së diplomacisë kroate

“Mali i Zi po përdoret si shkëmbim ndaj Serbisë për humbjen e Kosovës”

30.04.2023 - 21:37

Ish-shefja e diplomacisë kroate, Vesna Pusiç, në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, shprehu shqetësimin se Mali i Zi çdo ditë e më shumë po shihet si njëfarë kompensimi ndaj Serbisë për humbjen përfundimtare të Kosovës.

Ajo tha se fitorja e kreut të Lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç, në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi, paraqet një rezultat që është në favor të Rusisë dhe Serbisë ndërsa shtoi se ka një interpretim tjetër, më pak apokaliptik, që është se Perëndimi nuk e kupton mjaft mirë problemin në Malin e Zi.

Nga ana tjetër, theksoi Pusiç, sado që mundohet ta mohojë Beogradi zyrtar, Kosova në thelb është shtet i pavarur dhe ndonëse me shumë vështirësi, do të qëndrojë në këmbë dhe do të mbijetojë si shtet i pavarur dhe sovran.

“Ata [Perëndimi], sidomos në fazën e fundit, luajtën një rol negativ. Jo gjithmonë – le të kujtojmë hyrjen në NATO. Çfarë po bëjnë sot? Kam frikë se po projektohen disa skenarë shumë të këqinjë, në kuptimin që Mali i Zi shihet si një lloj kompensimi ndaj Serbisë për Kosovën”, tha Pusiç.

Pusiç në këtë intervistë ka folur edhe për planin e Perëndimit për të cilin ka shkruar gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Janusz Bugajski, i cili i referohej ndarjes së Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit – Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë.

“Në këtë skenar përfshihen shtete të kategorive të ndryshme, të cilat nuk do të funksionojnë në të njëjtën hapësirë ​​dhe me të njëjtin lloj problemi. Kroacia merret shumë pak me temën e rajonit, përveç interesit të vazhdueshëm që tregon për stabilitetin e Ballkanit”.

“Nuk e shoh se çfarë do të ndahet saktësisht. Mirëpo, nëse tashmë është hapur tema e ndarjes së Ballkanit në tre sfera të ndikimit, atëherë kjo pa dyshim realizohet më shpejt dhe më efektivisht përmes nismës ‘Ballkani i Hapur’”, shtoi Pesiç.

Ndryshe, rëndësia e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në skenën politike malazeze shkon përtej asaj të zgjedhjeve të rregullta dhe ato kanë një rëndësi të madhe në skenën politike ndërkombëtare, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Shumë ekspertë kanë vlerësuar se situata politike në Mal të Zi dhe fitorja aktuale e ideologjisë së “Serbisë së Madhe” në mënyrë të pashmangshme do të përhapet edhe në rajon, ngase sipas tyre, në mendjen e Perëndimit, tani po vërtitet ideja se rajoni duhet të ndahet në tre sfera ndikimi: shqiptare, serbe dhe kroate.