Vrasja e biznesmenit Ardian Nikukaj është kryefjalë në mediat e huaja, dhe në ato në Portugali, prej nga e ka prejardhjen vrasësi i shqiptarit. Gazeta portugeze “Correio da Manhã” raporton për identifikimin e vrasësit të biznesmenit, i cili është një shtetas nga Portugalia i identifikuar nga Policia Shqiptare si Ruben Saraiva.
“Mercenari portugez i kërkuar nga policia për vrasjen e biznesmenit në Shqipëri”- me këtë titull e hap artikullin kjo media.
“Një portugez është në kërkim nga policia shqiptare për vrasjen e një biznesmeni. Krimi ndodhi 1 javë më parë dhe tashmë autoritetet kanë lëshuar urdhër-arresti ndaj Ruben Saraivës, 4 britanikëve dhe një shqiptari që udhëtuan nga Britania e Madhe për të kryer ekzekutimin”, vijon raportimin gazeta “Correio da Manhã”.
Vrasja e Nikulajt u zbardh një ditë më parë. Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku njoftoi se gjithçka ishte planifikuar nga vëllezërit Lestakaj, me të cilët Nikulaj ishte në hasmëri që prej vitit 1997. Dyshohet se Lestakajt kishin paguar një skuadër të huajsh për të ardhur për të kryer vrasjen. Sipas të dhënave të PSH-së, në rolin e ekzekutorit ishte portugezi Ruben Saraiva, ndërsa katër britanikë ishin vëzhgues. Ata janë identifikuar si: Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. I gjithë ekipi menaxhohej nga Edmond Haxhia, djali i dajës i vëllezërve Lestakaj. Por, deri më tani asnjë prej të përfshirëve nuk janë arrestuar. Të gjithë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet destinacioni i tyre. Nga ana tjetër, vetë vëllezërit Lestakaj ndodhen në Britaninë e Madhe.