Presidenti i sapozgjedhur në Malin e Zi, Jakov Milatoviç deklaroi se do të përshpejtojë rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Milatoviç u shpreh se Mali i Zi do të mbajë të njëjtën linjë me unionin në politikat ndaj Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, shkruan Vijesti.
“Një nga prioritetet kyçe të politikës së jashtme për Malin e Zi, si dhe për mua si president i ri i vendit, do të jetë përshpejtimi i anëtarësimit të vendit në BE, në mënyrë që, me shpresë, Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së brenda 5 viteve të mandatit”, theksoi ai.
Milatoviç nënvizoi se do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë, si dhe me shtetet e tjera fqinje të Ballkanit.
“Besoj se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe mendoj se Mali i Zi me siguri mund të jetë i pari që do të hyjë”, tha Milatoviç.