Ministri ukrainas i Politikës Agrare dhe Ushqimit Mykola Solskyi dhe ministrja shqiptare e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca kanë zhvilluar një takim online për të diskutuar eksportet bujqësore dhe tranzitin e produkteve bujqësore ukrainase.
Në takimin online, Krifca shprehu mbështetjen për propozimin për pagesën e kompensimit për transportin e drithit drejt Evropës, i cili do të bazohej në një parim progresiv, shkruajnë mediat ukrainase.
Një kompensim i tillë do t’u mundësonte vendeve që ndodhen më larg nga kufiri ukrainas të marrin grurë me çmime të përshtatshme. Në të njëjtën kohë, fermerët në vendet fqinje të Ukrainës do të përjetonin më pak presion në lidhje me politikën e çmimeve.
Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Bullgaria vendosën një ndalim të përkohshëm për importin e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore nga Ukraina, pasi e konsiderojnë të padrejtë ndaj prodhimit vendas në aspektin e konkurencës si dhe për shqetësimet shëndetësore, pasi u gjetën pesticide të ndaluara nga BE.
Komisioni Evropian njoftoi një paketë ndihme financiare për vendet në kufi me Ukrainën, të cilën ata do të mund ta marrin pas heqjes së kufizimeve në importin e produkteve bujqësore ukrainase.