MENU
klinika

Ekzekutimi i Nikulajt

Nga Anglia vjen porosia me Kanun për gjakmarrje, zbatohet nga një “killer” portugez

29.04.2023 - 20:14

Pamundësia apo edhe paaftësia për të parandaluar një krim, për ta zbuluar dhe për të bërë drejtësi shpesh nxit vetëgjyqësinë. Njerëzit zgjedhin të zbatojnë ligjet kanunore. Të marrin gjak, herë vetë e herë duke paguar njerëz të tjerë.

E duket se kjo ka ndodhur edhe me biznesmenin Adrian Nikulaj. Ai u ekzekutua më 19 prill në Shëngjin dhe që nga ajo ditë janë hedhur hipoteza të ndryshme për motivet. Janë hedhur akuza, është aluduar e është folur në disa drejtime. Ndërsa sot ka një motiv zyrtar që është gjakmarrja dhe emra konkret autorësh.

Gjakmarrje e kryer nga një grup i strukturuar kriminal, nga shtetas të huaj që nuk ia kanë idenë kanunit e të drejtës zakonore. Ngjarja, e cila u trajtua e plotë ne emisionin “Gjërat tona” nga gazetarja Etleva Delia, u referua fillimisht në Prokurorinë e Lezhës, por tashmë me hetimin e saj do të merren prokurorët e SPAK.

Në orën 13:30, Nikulaj ishte ulur i vetëm duke pirë kafe në lokalin e tij dhe po fliste në telefon. Aty është futur një person i veshur me jelek fosforeshent, skafandër në kokë, i ngjashëm me korrierët që shpërndajnë postën.

Ky person shtatlartë, që tashmë është identifikuar nga Policia si shtetasi portugez Ruben Saraiva, i është afruar Nikulajt pa e hequr skafandrën. Më pas, ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe e ka qëlluar 6 herë. Madje duke iu afruar shumë pranë. Pasi është siguruar që e ka vrarë, duke qenë se e qëlloi edhe në kokë, ai nxiton të largohet drejt motorit që e kishte lënë afro 200 metra larg lokalit “Coral”.

Të dyshuar për këtë ngjarje janë: Ruben Saraiva, shtetas nga Portugalia, i dyshuar si ekzekutor, bashkëpunëtorët Harry Simson, Harriet Bridgeman, Thomas Mithan, dhe Steven Hunt të gjithë shtetas britanikë, si dhe Edmond Haxhia (Done), shtetas shqiptaro- britanik, që sipas Policisë dyshohet të jetë porositës, financues e planifikues i vrasjes së Ardian Nikulajt.

Edmond Haxhia, ëshë djali i dajës së Elton dhe Klodian Lekstakajt, të cilët jetojnë në Angli. Ishin në gjak me Nikulajn. Atyre u janë vrarë xhaxhai dhe babai, konkretisht Gëzim e Gjovalin Lekstakaj.

Adrian Nikulaj, 51 vjeç, biznesmen në Lezhë, ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit nën siglën e PSD. Ishte edhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti, i të njëjtës parti. Nikulaj ka mbajtur poste drejtuese në disa institucione në Lezhë, si te Aluizni apo edhe të OSHEE.

Në vitin 2003 ai është dënuar për armëmbajtje pa leje dhe në vitit 2006 për kontrabandë dhe falsifikim.

Organizimi i vrasjes

Rreth 3 muaj më parë, Edmond Haxhia ka marrë një makinë me qira në Shkodër. Më 14 shkurt ai është parë në Aeroportin e Rinasit ku ka marrë shtetasin portugez. Nga Rinasi ka shkuar në Shkodër. Në muajin Mars, Edmond Haxhia ka marrë në në Aeroportin e Rinasit edhe shtetasit britanikë Harriet Bridgeman, Thomas Mithan dhe Steven Hunt shtetas.

Ndërsa personi tjetër, i dyshuar si i përfshirë në ngjarje, Harry Simson, ka mbërritur në Rinas më 11 mars dhe është larguar menjëherë pas vrasjes, po nga Rinasi, më 19 prill.

Në kohën që të gjithë këta persona janë bërë bashkë, kanë nisur planin dhe organizimin e ngjarjes. Fillimisht vëzhgimin e perimetrit rreth godinës në Shëngjin, që është hotel, restorant dhe bar, si dhe kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e Ardian Nikulajt.

Këta persona kanë qëndruar dhe janë akomoduar në zona të ndryshmë, përfshirë edhe hotelin në pronësi të Nikulajt. Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në autostradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas kqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar e pyetur punonjësin e karburantit, i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.

Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin “Coral”. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100-150 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Skema e ngjarjes, që nga organizimi dhe deri të vrasja është zbardhur për grupin hetimor nga një grua që është kthyer në bashkëpunëtore.

Ka folur me prokurorin e çështjes dhe shefin e Krimit të Organizuar duke treguar të gjitha lëvizjet e shtetasit portugez. Ajo ka treguar se Ruben Saraiva ka tentuar disa herë që të ekzekutojë Ardian Nikulajn, por nuk ka arritur të kryejë vrasjen. Madje edhe në rastet e mëparshme ka udhëtuar me të njëjtin motor.

Gruaja që është kthyer në bashkëpunëtore, ka deklaruar se vrasësi ishte mësuar të fliste disa fjalë në gjuhën shqipe, në mënyrë që të mos kuptohej që ishte shtetas i huaj.

Gjatë veprimeve hetimore janë gjetur prova që kanë shërbyer për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas ngjarjes, shtetasi portugez dhe 2 nga ata britanikë Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt, janë larguar nga Shqipëria nga Kapshtica në drejtim të Greqisë, duke lëvizur në këmbë. Të tre janë regjistruar në sistemin TIMS.

Dëshmitarët e vrasjes

Dëshmitari okular, banakieri në lokalin “Coral”, i quajtur Mark, ka treguar për grupin hetimor se Ardian Nikulaj banonte në katin e shtatë të ndërtesës ku ndodhet edhe lokali. Ai zakonisht shkonte në lokal rreth orës 10:00 e qëndronte deri në drekë duke takuar njerëz të ndryshëm për punë apo nevoja të tjera dhe më pas hante drekë po aty.

Edhe ditën e ngjarjes, Ardiani ka shkuar në orën 10:00, ku është ulur fillimisht vetëm, më pas kanë ardhur edhe persona të ndryshëm, që banakieri ka treguar se nuk i mban mend, por janë takuar dhe kanë pirë kafe.

Rreth orës 12:30-13:00, kohë që ai thotë se ka qenë në banak, kamarieri, i quajtur Françesk ka qenë pranë tij dhe i ulur në tavolinën përballë banakut ka qenë pronari, Ardiani, vetëm, i cili ishte i përqendruar te telefoni që kishte në dorë. Në këtë kohë në lokal nuk ka pasur klientë.

Në këtë moment ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili mbante të veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave. Në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantën me rrip të lidhur në trup.

Pasi është afruar tek banaku, ky person ka përshëndetur banakieri dhe kamarierin, duke u thënë “Si e kalut”. Sipas dëshmitarit në këtë moment ai ka qenë duke biseduar me kamarierin dhe nuk e ka pasur mendjen tek personi që hyri. Por më pas ka vënë re se ai është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë me pistoletë në drejtim të tij.

Banakieri thotë se është ulur poshtë banakut dhe ka dalë nga magazine në të djathtë, ku ka qëndruar derisa kanë pushuar të shtënat e është larguar autori dhe më pas është kthyer sërish në lokal ku ka gjetur Ardianin të gjakosur në kokë dhe pa shenja jete. Në këtë moment ai ka njoftuar Policinë me telefon dhe ka pritur derisa kanë ardhur ambulanca dhe Policia.

I pyetur nëse e ka parë në fytyrë personin që qëlloi me armë dhe a është në gjendje ta njohë po ta shojë, Marku ka deklaruar se ai kishte skafandër në kokë dhe nuk ka arritur t’i fiksojë fytyrën, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt dhe nuk e vlerësoi fillimisht duke menduar se ishte klient.

I pyetur se çfarë dialekti fliste dhe nga cila zonë mund të ishte, dëshmitari ka deklaruar se autori ka thënë vetem “Si e kalut” dhe nuk ishte në gjendje të thoshte se nga cila zonë mund të ketë qenë, por ai mendon se mund të jetë nga veriu ose Shqipëria e mesme. Ndërsa ka përjashtuar dialektin e jugut.

Ndërsa një tjetër dëshmitar, i quajtur Lekë, ka shpjeguar se atë ditë, pasi ka pastruar bregun e detit dhe lulishten, ka hyrë në lokal për të marrë një shishe ujë. Në lokal ka parë të ulur Ardianin, që ka qenë duke shkruar në telefon. Pasi e ka përshëndetur është nisur që të dilte nga lokali. Në atë moment, kur ishte te dera, por i kthyer me fytyrë nga Ardiani, nga mbrapa, nga e djathta e tij ai thotë se i ka ardhur një burrë i gjatë, i veshur me pantallona me xhepa dhe kishte një jelek si të verdhë të ndezur dhe në kokë kishte një kasketë të zezë.

Ky person i ka thënë vetëm “largohu” dhe është futur brenda duke u drejtuar për tek Ardiani. Ka parë që ai zgjati dorë dhe në këtë moment ka dëgjuar krismat e pistoletës.

I pyetur për të përshkruar autorin dhe gjuhën që ka folur, dëshmitari ka thënë se ishte i gjatë mbi 1.85 dhe ishte trup i mbushur. Kur i ka thënë “largohu” ka pasur zë të trashë por duke qenë se i ka thënë vetëm një fjalë nuk e ka vënë re se çfarë dialekti kishte. Ai ka treguar se fyryrën nuk ia ka parë, duke qenë se kshte një skafandër motori në kokë dhe xhamin e skafandrës e ka pasur të ulur e i mbulonte fytyrën.

Nisur nga një konflik i 3 viteve më parë, Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje shtetasin Marsel Kolndreu. Ai ka deklaruar se ka qenë Theth me disa persona, që i ka përmendur me emër. Të nesërmen janë nisur për në Shkodër dhe rreth orës 14:45 është ndarë me personat që ka qenë i shoqëruar.

Më pas është nisur drejt Tiranës me autobusin e orës 16:00 dhe ka arritur në Tiranë në orën 18:30, konkretisht afër mbikalimit të Kamzës. Nga aty ka shkuar në shtëpi me taksi. Ka ngrënë tek e motra që banon përballë tij dhe nga momenti që ka dalë nga shtëpia e të motrës nuk ka dalë më nga shtëpia e tij që ndodhet në Selitë. Rreth orës 01:00 thotë se i ka shkuar Policia për kontroll nbë banesë.

Policia thotë se janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë të dhëna të dobishme për hetimet edhe 3 persona të tjerë. Ndërsa është ushtruar kontroll edhe në banesën e Sokol Kolndreut, babait të Marselit, për gjetjen e djemve të tij që ishin përfshirë në konlikt me Ardian Kolnikajn 3 vite më parë për motive të dobëta. Konflikt që sipas Policisë nuk është zgjidhur as në rrugë kanunore në atë periudhë.

Policia ka marrë në pyetje Sokol Konldreun. Ai ka deklaruar se fëmijët e tij kanë pasur konflikt me Nikulajt, konkretisht djali i tij Marseli, të cilin ia kanë rrahur barbarisht 3 vite më parë.

Kanë pasur një konflikt banal e më pas djalit të tij i kanë dalë para 4 vetë përpara, mendohet edhe të armatosur, me shkopinj bejsbolli dhe e kanë rrahur e për pasojë ai ka marrë mjekim privat për 2 muaj.

Deklaruesi është shprehur se sherrin e ka bërë djali i Ardian Nikulajt dhe nipat e tij. Për këtë ngjarje, Kolndreu i ka dërguar njerëz familjes Nikulaj që t’i pyesnin se çfarë u kishte bërë djali që e kanë rrahur në atë formë. Ndërsa Ardiani u ka thënë “rrini mirë”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për shtyp, së bashku me një nga prokurorët e kësaj çështjeje njoftuan zbardhjen e vrasjes së Ardian Nikulajt.

Konflikti mes dy familjeve

Konflikti mes dy familjeve, Nikulaj dhe Lekstakaj ka nisur prej 27 vitesh. Në vitin 1996, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës ka mbetur i vrarë vëllai i Ardian Nikulajt.

Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Nikulaj, Pëllumb Nikulaj, bashkë me Fran Qulajn, punonin në një pikë karburanti. Një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj ka shkuar për të furnizuar makinën aty dhe në një moment punonjësit kanë nisur të debatojnë debatuar me drejtuesin. Debati ka ndodhur me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit, 5 mijë lekë të vjetra.

Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre është rikthyer i armatosur disa minuta më vonë duke qëlluar në drejtim të karburantit. Nga të shtënat mbeti i vrarë edhe vëllai i Ardian Nikulajt, Pëllumbi dhe kolegu tij Fran Qulaj .

Pak muaj pas kësaj ngjarje, më 29 shtator të vitit 1997, në Balldre të Lezhës u vranë Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja, konkretisht dajë e nip. Ndërsa më 30 mars të vitit 1999, është vrarë shtetasi Gjovalin Lekstakaj dhe është plagosur Pjetër Lekstakaj.

Dëshmitar i ngjarjeve ka qenë, Klodian Lekstakaj, djali i njërit prej viktimave, Gjovalin Lekstakajt. Klodiani është larguar drejt Anglisë dhe nga atje ka nisur një letërkëmbim me institucionet ligjzbatuese shqitare, duke kërkuar që të përfitojë statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Status që i është mohuar.

Më 26 maj të vitit 2016, në adresë të Klodian Lekstakajt është nisur një përgjigje nga ana e Prokurorisë së Lezhës. Në të thuhej se ai nuk mund ta përfitonte mbrojtjen e posaçme por nëse kthehej në Shqipëri për të dëshmuar në mënyrë vullnetare dhe nëse atij i rrezikohej jeta nga vrasësit e familjes së tij, atëherë ngarkohej drejtori i Policisë së Shtetit me detyrën kushtetuese për t’i mbrojtur jetën.

Kryeprokurori i Lezhës në atë kohë, saktësonte se kishte biseduar me Policinë e Lezhës për faktin se nëse dëshmitari okular i dy vrasjeve kthehej për të dëshmuar në Lezhë, ata do ta mbronin. Por sipas Prokurorisë, Klodian Lekstakaj duhej të kthehej në Shqipëri.

Në shkresën që i është vënë në dispozicion Klodian Lekstakajt, si person që kërkon mbrojtjen e shtetit shqiptar, ka pasur disa gabime që e quanin atë djalin e të plagosurit Pjetër Lekstakaj, kur në fakt ai është djali i viktimës, Gjovalin Lekstakajt.

Klodian Lekstakaj: “Unë i paraqitem çdo lloj prokurorie në Shqipëri dhe në botë për çështjen e familjes time dhe për deklaratat e mia që kam dhanë në 1997-n dhe që po kërkoj rihapjen në 2015-ën.

Unë kërkoj nga institucionet shqiptare që ata persona që më kanë vrarë pjesëtarët e familjes, të dalin para drejtësie. Unë jam ankuar dhe paraqitur në ambasadën shqiptare në Londër dhe nga aty kam nisur të gjitha letrat. Më vonë u fol shumë për ekstradimin e xhaxhait tim, Pjetër Lekstakaj, si person i shumëkërkuar. Po ai arriti t’i shpëtojë ekstradimit në vitin 2007. Ju bëj thirrje të gjitha mediave shqiptare të publikojnë historinë e familjes time sepse kam tre pjesëtarë të familjes të vdekur dhe një të gjymtuar”.

Prokurori deklaroi të atë kohë zyrtarisht se hetimet ishin mbyllur pasi nuk ishin gjetur autorët. Në shkresën zyrtare bënte me dije se në dëshminë që ka dhënë Klodian Lekstakaj kur ishte vetëm 13 vjeç dhe ka qenë në arë me xhaxhain e tij, Gëzimin, dhe nipin e shtëpisë, Laurenin, ata janë vrarë para syve të tij. Por sipas prokurorit, Klodiani është pyetur por nuk ka përmendur asnjë emër, pasi nuk mbante mend.

Klodian Lekstakaj: “Xhaxhai im, Pjetër Lekstakaj, që ishte plagosur në atë ngjarje u dënua me 12 vjet burg. Në vitin 2004 më dënojnë djalin e xhaxhait, Elton Lekstakajn, me 25 vjet burg. Prapë persekutimi i drejtësisë shqiptare. Në 2007-ën ish-ministri i drejtësisë, së asaj kohe, me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe me një avokat, çuan kërkesën për ekstradimin nga Londra të Pjetër dhe Elton Lekstakajt”.

Ndërkohë, Klodian Lekstakaj, në vitin 2016, pasi iu mohua statusi, ka dhënë në media një dëshmi për këtë ngjarje.

Klodian Lekstakaj: “Me fisin e Nikulaj ka shumë vite që kemi pasë probleme, por në vitin 1997 përfundoi me armë, pasi dikush i Nikulajve ka ardhur tek xhaxhai i babait tim me automatik në dorë dhe i ka thanë: Po nuk erdhi Gjergji deri në orën 8 të darkës te benzinata e Fran Qulajt, unë e vras! Pjesëtarët e fisit tim kanë shkuar aty. Kurse me fisin e Fran Qulajt nuk kemi pasë lidhje me ta kurrë. Por pjesëtarët e fisit tim kanë shkuar aty se Pëllumb Nikulaj kishte lanë fjalë për t’u taku.

Kur kushërinjtë kanë shkuar të benzinata, kanë gjetur Fran Qulajn dhe Mark Lekstakajn duke folur me ta për punë 5 mijë lekë naftë (5 mijë lekë të vjetra), por në atë moment ka ardhur Pëllumb Nikulaj me automatik në drejtimin e tyre. Janë gjuajtur më armë. Aty ka mbetur i vramë Fran Qulaj dhe Pëllumb Nikulaj, ndërsa Mark Lekstakaj, ka mbetur i plagosun. Në atë ngjarje kemi hyrë në gjak 3 fise, Lekstakaj, Qulaj dhe Nikulaj.

Pjetër Lekstakaj ka 3 vetë të vdekur dhe ai është i plagosur, por ish-ministri i drejtësisë kërkonte me këmbëngulje që të persekutonte Pjetër Lekstakajn. Kemi 18 vjet që merremi me këtë ngjarje dhe të gjitha institucionet e dinë këtë ngjarje që nuk është e mbyllur. Dhe unë kërkoj që personat që më kanë vrarë pjesëtarët e familjes time të dalin para drejtësisë”.

Klodian Lekstakaj kërkonte nga prokuroria njohjen me atë material shkresor ku ai ka dhënë dëshminë e tij në kohën kur u vranë dajë e nip dhe ai u largua me vrap nga ara, duke i kërkuar besë për jetën një burri të zones.

Në refuzimin për statusin e dëshmitarit të mbrojtur, Prokuroria e Lezhës shprehej se, në bazë të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, organi i prokurorisë investohet për marrjen e masave mbrojtëse dhe futjen në programin e mbrojtjes të personave që ndjehen të kërcënuar, vetëm për rastet kur plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në këtë ligj. Ligji i sipërpërmendur rregullon marrjen në mbrojtje të personave që janë dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të drejtësisë në një procedim penal të filluar nga prokuroria për vepra penale për të cilat neni përkatës i Kodit Penal parashikon dënim me burgim në minimum jo më pak se 4 vjet. Në bazë të ligjit të sipërcituar që një dëshmitar të futet në programin e mbrojtjes ndër të tjera duhet të plotësohen disa kushte:

1-Dëshmitari duhet të pranojë më vullnet të lirë të bashkëpunojë me prokurorinë dhe Gjykatën.

2-Të dhënat që dëshmitari jep në dëshminë e tij pa kushte dhe rezerva të përbëjnë provë vendimtare për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e krimeve dhe të autorësisë së tyre.

3-Dëshmitari për shkak të dëshmisë së dhënë ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz për jetën.

Prokuroria shprehej se në rastin konkret nuk ndodhemi para rasteve të parashikuara nga Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, pasi në hetimin e procedimit penal nr. 150 të vitit 1997 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Lezhë, dhe që ka të bëjë me vrasjen e shtetasve Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja ku ai (i referohet Klodian Lekstakajt) jeni pyetur si person që tregon rrethana të hetimit, në deklaratën e tij nuk ka dhënë ndonjë të dhënë që përbën provë vendimtare për zbulimin dhe dënimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, në kuptim të ligjit të sipërpërmendur. Në mungesë të kushteve të parashikuara në ligj, nuk mund të propozohej pranimi i tij në programin e mbrojtjes.

Në qoftë se ai dispononte të dhëna apo prova të reja që hedhin dritë dhe shërbejnë për të provuar akuzat ndaj autorëve të vrasjes së të afërmve të tij, Gëzim Lekstakaj, Lauren Gjetja, Gjovalin Lekstakaj dhe plagosjes së Pjetër Lekstakaj, mund t’i paraqiste ato në çdo kohë pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë dhe pranë Drejtorisë së Policisë së Lezhës, me drejtuesit e së cilës është biseduar nga ana jonë për të marrë të gjitha masat për sigurinë e tij në rast se do kthehej në Shqipëri për të dhënë dëshminë e tij. “Drejtori i Policisë së Shtetit ka për detyrë kushtetuese ta mbrojë atë”.

Gjithashtu, Prokuroria shprehej se në kushtet kur ndaj tij nuk mund të aplikohen masat e posaçme të mbrojtjes të parashikuara nga Ligji ‘Për mbrojtjen ë dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” në vlerësim të shqetësimit të paraqitur prej tij, i sugjeronte t`i drejtohej Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Policisë së Lezhës duke kërkuar mbrojtje prej tyre që në zbatim të detyrave kushtetuese për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe në përputhje me detyrimet që parashikon ligji, “Për Policinë e Shtetit” të merreshin të gjitha masat për mbrojtjen e jetës së tij dhe të pjesëtarëve të familjes së tij. Kështu mbyllet një prej përgjigjeve zyrtare institucionale që është nisur në drejtim të shtetit britanik ku banojnë edhe djemtë e familjes Lekstakaj.

Ministria e Brendshme

Në përgjigje të letrës së Klodian Lekstakajt, Ministria e Brendshme i bënte me dije se Drejtoria e Policisë së Shtetit, në përgjigjen e datës 8 qershor 2016 sqaronte:

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 29 shtator të vitit 1997 në vendin e quajtur Balldre, Lezhë, ku janë vrarë me armë zjarri shtetasit Gëzim Lekstakaj dhe Lauren Gjetja, prokuroria e Lezhës ka regjistruar procedimin penal të vitit 1997 i cili është pezulluar për zbulim autori. Shtetasi Klodian Lekastakaj është pyetur në cilësinë e personit dëshmitar mbi karakteristikat e personave autorë si dhe drejtimin e lëvizjes së tyre por nuk ka mundur t`i identifikojë autorët.

Për sa i përket ngjarjes së 30 mars të vitit 1999, ku ka ngelur i vrarë shtetasi Gjovalin Lekstakaj dhe është plagosur Pjetër Lekstakaj, janë kryer të gjitha veprimet nga ana e Prokurorisë dhe çështja është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Strukturat e hetimit për Krime të Rënda në Policinë e Lezhës vazhdojnë punën për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Në lidhje me sa pretendohet ngjarja juaj, për të cilën ju i jeni drejtuar të gjitha organeve qendrore shtetërore dhe institucionit të Avokatit të Popullit, nga ana jonë me shkresën datë 9 shtator 2015, i kemi kthyer përgjigje me shkrim Elton Lekstakajt në shtetin e Britanisë së Madhe. Ju njoftojmë gjithashtu se me shkresën tonë me datë 15 prill 2016, nga ana jonë i kemi kërkuar shpjegime me shkrim drejtuesit të Prokuorisë Rrethit Gjyqësor, Lezhë, na ka ardhur përgjigje, fotokopjen e së cilës ne po jua dërgojmë juve për dijeni.

Po kështu rezulton se në lidhje me këto ngjarje të rënda kriminale kanë filluar procedimet penale me Nr. 150 datë 7 tetor 1997 dhe me datën 12 qershor 1999 nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, është vendosur pezullimi i hetimeve dhe dosja penale në fjalë i ka kaluar për veprime ligjore Komisariatit të Policisë Lezhë. Në lidhje me ngjarjen tjetër datë 30 mars 1999 nga ana e Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka filluar procedimi penal Nr. 48 datë 31 mars 1999 dhe me vendim penal Nr. 31 datë 29 shtator 2000 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Lezhë, është gjykuar e dënuar në mungesë me 10 vjet burgim i pandehuri Pjetër Lekstakaj.

Gjakmarrja

Pavarësisht përgjigjes mohuese që ka marrë nga Prokuroria, Klodian Lekstakaj, nga Anglia, i është drejtuar sërish Policisë së Shtetit shqiptar për t‘i garantuar jetën që ai të vijë dhe të rrëfejë me emra se kush janë vrasësit dhe përndjekësit e familjes së tij, pasi djali pretendonte se ata ishin në poste të larta drejtuese lokale. Megjithatë pavarësisht reagimeve të shumta të institucioneve, prokuroria nuk vendosi asgjë për rihapjen e çështjes.

Më 19 prill, në lokalin e tij në bregdetin e Shëngjinit, u ekzekutua Ardian Nikulaj. Deri tani, të paktën sipas Policisë së Shtetit, ai është vrarë për gjakmarrje. Gjakmarrje që daton në vitin 1997.

Një dëshmitar okular, në atë kohë 13 vjeç, djali i një prej viktimave të fisit Lekstakaj, që prej vitesh ndodhet në Angli, ka kërkuar vazhdimisht që të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojur dhe të tregojë gjithçka di. Por përveç gabimeve në shkresat kthim përgjigje nga ana e Prokurorisë së Lezhës, duket se kërkesa e tij serioze nuk është marrë parasysh.

Gabime të bëra me apo pa qëllim, apo thjeshtë nga neglizhenca e shpejtësia, këtë nuk mund ta themi, por në rast se të dhënat do të ishin të sakta, kërkesa e e Klodian Lekstakajt për të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur mund të ishin marrë më seriozisht. Ndoshta ai do të kishte dëshmuar dhe ngjarjet mund të ishin zbardhur.

Zbardhja e një ngjarje dhe vënia para drejtësisë e autorëve, mund të shihej edhe si një mundësi për shkëputjen e hallkës në zinxhirin e gjakmarrjes. Megjithatë kjo nuk ndodhi. E për pasojë vrasjet vazhduan. Askush nuk ka siguri nëse vrasja e Ardian Nikulajt do të jetë hallka e fundit në këtë zinxhir.