Mançester Siti mirëpret Arsenalin në “Etihad” sonte në mbrëmje për një përplasje që mund të rezultojë vendimtare për titullin. Vetëm pesë pikë ndajnë dy skuadrat dhe Siti ka dy ndeshje më pak sesa rivalët e tyre.
Kjo do të thotë se skuadra e Mikel Artetës duhet të fitojë për t’i mbajtur gjërat në duart e saj, megjithëse rekordi i tyre i fundit kundër kampionëve është i tmerrshëm. “Qytetarët” kanë fituar 11 ndeshjet e fundit në Premier Ligë kundër Arsenalit dhe nuk ka humbur ndaj “topçinjve” në shtëpi që prej janarit 2015. Skuadra e Mikel Artetës ka fituar vetëm 1 nga 15 përballjet e fundit, një sukses 2-0 në gjysmëfinalen e Kupës FA në vitin 2020.
Madje, edhe një skuadër shumë e përmirësuar, siç është Arsenali këtë sezon, pati vështirësi në dy ndeshjet e tyre kundër fituesve serialë të Pep Guardiolës këtë edicion. Siti e eliminoi Arsenalin nga Kupa FA me një fitore 1-0 në “Etihad” në janar, dhe më pas u dha rivalëve të tyre një goditje të madhe në garën për titull me një fitore 3-1 në “Emirates” një muaj më vonë. Golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Angli, Erling Haland, gjeti golin në atë ndeshje dhe ai mbetet sërish rreziku numër 1 për kampionët.
Ai është golashënuesi më i mirë në Premier Ligë me 32 gola këtë sezon, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Kevin de Bryjne, kryeson me 15 asiste. Siti krenohet me më shumë përvojë sesa Arsenali, si për sa i përket moshës së skuadrës ashtu edhe mentalitetit, pasi ka fituar titullin në katër nga pesë vitet e fundit. Guardiola është gjithashtu një menaxher më i kompletuar se Arteta dhe ka 191 fitore në Premier Ligë krahasuar me 72 ish-nxënësit e tij. Spanjolli ka pilotuar katër nga tetë sukseset e Sitit në kampionat, ndërsa Arteta, i cili ka punuar si asistent nën drejtimin e Pepit në “Etihad”, ka fituar vetëm një trofe të madh, Kupën FA.
Guardiola ka gjithashtu edhe lojtarë më të mirë në dispozicion, me skuadrën e Sitit që ka kushtuar 929 milionë paund. Vetëm Xhek Grilish kushtoi 100 milionë paund dhe sulmuesi anglez po kalon formën më të mirë këto javët e fundit, duke u përfshirë edhe në një gol në fitoren në “Emirates”. Ndërsa skuadra e Arsenalit që kushton 787 milionë paund dhe vjen pas 3 barazimeve radhazi kundër Liverpulit, Uest Hemit dhe Sauthemptonit. Ndërkohë, Siti është i pamposhtur në 16 ndeshje dhe vjen me moral të lartë pasi arriti në finalen e Kupës FA pas fitores 3-0 ndaj Shefilld Junajtidit të shtunën.