MENU
klinika

Mbetën të bllokuar pas defektit në ashensor

Nxirren pas 14 orësh minatorët në minierën e Trepçës

10.04.2023 - 18:35

Të gjithë minatorët që ishin të ngujuar në Minierën e Trepçës, janë nxjerrë në sipërfaqe.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi.

Ai ka theksuar se në orët e para të mëngjesit të 10 prillit, rreth 40 minatorë kanë mbetur të ngujuar në Minierën e Trepçës, e cila gjendet në Stantërg, në afërsi të Mitrovicës.

“Që nga ora 3 e mëngjesit, minatorët kanë mbetur të ngujuar në horizontin e 1, për shkak të një defekti të energjisë elektrike në ashensor”, ka deklaruar Jonuzi për Radion evropa e Lirë. Ky horizont gjendet rreth 900 metra nën tokë.

Jonuzi ka theksuar se minatorët, janë nxjerrë nga miniera përmes formës alternative, gjegjësisht, përmes rrugës prej ku nxirren mineralet, në formë mekanike dhe jo përmes ashensorit.

Ai ka theksuar se minatorët që ishin të ngujuar, pas daljes, përveç shqetësimit të përgjithshëm, nuk kanë shprehur shqetësim shëndetësor.

Në vendin e ngjarjes, sipas tij, kanë qenë të pranishëm pjesëtarët e Policisë së Kosovës, drejtuesit e “Trepçës”, ekipet e emergjencës dhe ekipet mobile për nxjerrjen e minatorëve të ngujuar.

Megjithatë, asnjë nga udhëheqësit e Trepçës nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike të Radios Evropa e Lirë, për të sqaruar arsyet e defektit në ashensor, që pamundësoi daljen në sipërfaqe të rreth 40 minatorëve, të cilët qëndruan të ngujuar në minierë për rreth 14 orë./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN