MENU
klinika

Studimet

Obeziteti, pasojë e gjenetikës apo stilit të jetesës?

19.04.2023 - 16:11

Dihet se një indeks i lartë i masës trupore (BMI) ka efekte negative në shëndetin tonë, duke rritur rrezikun e prekjes nga disa sëmundje. Dhe kjo është shqetësuese, pasi gati 1/3 e popullsisë së botës klasifikohet tani si mbipeshë ose obeze.

Një grup sëmundjesh të lidhura fort me obezitetin janë ato kardiovaskulare (sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru), të cilat sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën. Obeziteti është një gjendje komplekse, që mund të ndikohet si nga gjenetika po ashtu edhe nga mënyra e jetesës dhe mjedisi rrethues i një personi.

Kjo e fundit mund të përfshijë ndotjen e ajrit, duhanin, dietën ushqimore, aktivitetin fizik, mjekimet, arsimin, statusin socio-ekonomik dhe shëndetin mendor. Pra kjo do të thotë se obeziteti mund të jetë rezultat i një larmie faktorësh. Po ashtu, shkaqe të ndryshme të obezitetit mund të kenë pasoja të ndryshme mbi shëndetin tonë.

Në një studim të kohëve të fundit, ne shqyrtuam lidhjen midis obezitetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare në veçanti, nëse rreziku ndryshon nëse obeziteti nxitet nga predispozita gjenetike apo kryesisht nga faktorë të tjerë, si mjedisi ose mënyra e jetesës.

Ne përdorëm të dhëna nga Regjistri Suedez i Binjakëve, një regjistër mbarëkombëtar që përfshin pothuajse të gjithë binjakët e lindur në Suedi që nga fillimi i viteve 1900. Ne përfshimë më shumë se 15.000 binjakë të lindur para vitit 1959, duke mbledhur informacion rreth BMI-së së tyre, dhe nëse ata kishin një predispozitë gjenetike për një BMI të lartë apo të ulët.

Po ashtu përdorëm të dhëna nga regjistrat kombëtarë mjekësorë, për të përcaktuar shpeshtësinë e sëmundjeve kardiovaskulare. Më pas ishim në gjendje të shihnim se si rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare ndryshonte në varësi të vendit ku njerëzit klasifikoheshin në spektrin e predispozicionit gjenetik dhe BMI.

Dhe zbuluam se rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, ishte mesatarisht 76 për qind më i lartë te njerëzit me obezitet, krahasuar me ata me një peshë të shëndetshme. Gjithsesi, kjo lidhje ishte dy herë më e fortë tek ata me predispozicion gjenetik për të pasur një BMI të ulët.

Gjë që të thotë se obeziteti i tyre vinte nga faktorë të tjerë si mjedisi ose stili i jetesës, krahasuar me ata të predispozuar gjenetikisht për të pasur një BMI të lartë. Studimet e mëparshme kishin treguar se njerëzit me obezitet kryesisht për shkak të faktorëve mjedisorë, kanë një rrezik më të lartë të demencës, diabetit, problemeve të zemrës dhe vdekjeve të hershme në përgjithësi, sesa ata me obezitet për shkak të faktorëve gjenetikë.

Bazuar në gjetjet tona dhe hulumtime të tjera, duket se nuk është BMI-ja e lartë në vetvete, ajo që e rrit rrezikun e sëmundjes. Përkundrazi, obeziteti ndikon në shëndetin tonë ndryshe, në varësi të asaj që e ka shkaktuar atë. Ne ende nuk e kuptojmë pse ndodh kjo gjë.

Por gjasat janë që trupi ta përballojë më mirë obezitetin te njerëzit që janë gjenetikisht të predispozuar për të pasur një peshë më të lartë. Si hapi i parë për të kuptuar pse shohim ndryshime midis obezitetit të ndikuar gjenetikisht dhe atij mjedisor, ne po shqyrtojmë ndryshimet midis këtyre dy grupeve në shëndetin e tyre metabolik.

Për shembull, nivelet e kolesterolit, sheqerit në gjak dhe presionit të gjakut. Një mënyrë jetese e shëndetshme dhe një peshë gjithashtu e shëndetshme është diçka për të cilën ia vlen të përpiqeni. Por gjetjet tona, ashtu si edhe studime të tjera, tregojnë se obeziteti është më pak i dëmshëm kur vjen për shkak të predispozicionit gjenetik ndaj një BMI më të lartë sesa kur është kryesisht për shkak të faktorëve të tjerë.

Për fat të keq, është e vështirë të dihet nëse keni një predispozitë gjenetike për një BMI më të lartë. Për të krijuar një ide mund të analizojmë historinë e anëtarëve të familjes sonë. Por është e rëndësishme të kujtojmë se ndajmë me familjet tona edhe shumë faktorë mjedisorë dhe të stilit të jetesës.

Ndërsa BMI-ja është një mjet i dobishëm për përcaktimin e peshës në studimet e popullsisë, ajo mbetet një masë e kufizuar e matjes së parametrave të shëndetit. Obeziteti është një sëmundje komplekse dhe e stigmatizuar, e cila mund të ketë shumë shkaqe të ndryshme, të cilat nuk kapen nga matja e BMI-së.

Të dhënat tona ofrojnë dëshmi të mëtejshme se efektet e obezitetit në shëndet ndryshojnë nga një person te tjetri. Një mënyrë jetese e shëndetshme është e rëndësishme pavarësisht nivelit të BMI-së, por ne të gjithë jemi të ndërtuar ndryshe. Ndërsa dieta dhe stërvitja mund të funksionojnë mirë për disa për të pasur një peshë të shëndetshme, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të gjithë.

Në radhë të parë, ne duhet të kuptojmë më mirë obezitetin dhe efektet e tij në shëndet. Pas kësaj, shpresojmë që shoqëria të largohet nga fokusimi kryesisht te BMI, dhe në vend të kësaj të shqyrtojë se çfarë e ka shkaktuar obezitetin, dhe çfarë mund të bëhet për të zvogëluar rrezikun e shëndetit të dobët te çdo person.

Shënim: Ida Karlsson, asistent/profesore në Departamentin e Epidemiologjisë Mjekësore dhe Biostatistikës, Instituti Karolinska, Suedi. Elsa Ojalehto, kandidate për doktoraturë në këtë departament.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Studimi që paralajmëron rrezikun

“Fast food” ndikon në humbjen e kujtesës?