MENU
klinika

Analiza

OKB-ja ka nevojë për një reformim të thellë

05.04.2023 - 12:12

Kur u njoftua se Rusia do të merrte presidencën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organit më të lartë të qeverisë botërore, duke filluar nga data 1 prill, shumë njerëz menduan se mos kjo ishte një shaka e Ditës së Gënjeshtrave.

E megjithatë gjithçka është e vërtetë. Përfaqësuesit e Ukrainës u përpoqën të gjenin fjalët e duhura për të shprehur zemërimin e tyre: “Një turp, një absurditet ekstrem, një goditje simbolike për një rend ndërkombëtar të bazuar te ligji”.

Gjithsesi, kjo çështje është deri diku e parëndësishme. Në fakt, Rusia as nuk ka planifikuar dhe as mashtruar për të marrë presidencën. Janë thjesht rregullat e Këshillit të Sigurimit, të hartuara që në vitin 1945, ato që parashikojnë një rrotacion mujor midis 15 vendeve anëtare të kësaj strukture drejtuese.

Tani ka ardhur radha e Moskës dhe kjo nuk mund të vihet në dyshim.

Është e lehtë të kuptohet tronditja e Ukrainës, kur pa agresorin e saj të drejtojë për 1 muaj mbi institucionin që supozohet të punojë për paqen, një vend, presidenti i të cilit është subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

Për ta penguar Rusinë të merrte kryesimin e Këshillit të Sigurimit, do të duhej një dorëheqje vullnetare nga Moska (gjë që do të ishte një surprizë e madhe) apo një votim nga vetë Këshilli. Por sigurisht Rusia mund të mbështet tek e drejta e saj e vetos, dhe ajo nuk do të lejojë kurrë që të miratohet një rezolutë e tillë.

OKB-ja ka nevojë për një reformim të thellë

Rregullat e OKB-së u vendosën që në fund të Luftës së Dytë Botërore

Në këtë rast, duhet të nënvizohen dy aspekte. I pari është se ndikimi i pranisë ruse është i papërfillshëm. Kjo detyrë i jep Moskës njëfarë ndikimi mbi agjendën e Këshillit të Sigurimit, si dhe të drejtën për të përmbledhur debatet kur 15 vendet nuk arrijnë të bien dakord për një rezolutë.

Për më tepër, Rusia do të fitojë një legjitimitet të caktuar që do t’i shërbejë asaj në fushatat e ardhshme diplomatike. Aspekti i dytë i rëndësishëm është ndërgjegjësimi për faktin se Kombet e Bashkuara nuk janë një instrument i përshtatshëm për kohën që po jetojmë.

Rregullat e OKB-së u vendosën në fundin e Luftës së Dytë Botërore, duke nxjerrë përfundime nga përvoja e institucionit që i parapriu, Lidhjes së Kombeve. OKB-së i janë dhënë kompetenca më të mëdha. Por fituesit e luftës, përfshirë Bashkimin Sovjetik, kanë qenë gjithashtu të shqetësuar për mbrojtjen edhe të interesave të tyre.

E drejta e vetos e rezervuar për 5 anëtarët e përhershëm – Kina, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe dhe Rusia – përfaqësonte një klauzolë sigurie për fuqitë e kohës. Por më vonë kjo u dëshmua të ishte një kurth, ashtu si gjatë Luftës së Parë të Ftohtë me BRSS dhe në dekadën e fundit, kur marrëdhëniet me Rusinë janë përkeqësuar shumë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën në mbështetje të  Ukrainës - Tv Klan

Sot OKB-ja është e paralizuar politikisht, “e vdekur nga truri” sa për të marrë një shprehje që përdoret tani edhe në raste të tjera, si për shembull Emanuel Makron për NATO-n pak vite më parë. Vetëm agjencitë e specializuara, si Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA) ose WFP përgjegjëse për çështjet e ushqimit, kanë aktualisht një rol në Ukrainë.

Siç ndodhi tashmë në vitin 1945, ka ardhur koha për të rimenduar organizimin e botës pas luftës në Ukrainë, në mënyrë që të mos lejohet që një vend agresor të organizojë debatet e paqes.

Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë, edhe sepse ka shumë mundësi që as Moska, as Pekini, dhe as Uashingtoni nuk do të duan t’i delegojnë kompetenca një institucioni që mund t’u imponojë diçka.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga kritikat e Merkel tek "përballja" Trump-Xi

75 vjet OKB/ Ç’ndodhi në Asamblenë në Nju Jork?